Vetëm ai që s'e njeh dhimbjen, qesh me vuajtjen
- miremengjes.net

- Nov 16
- 5 min read
(në kujtim të Gani dhe Dëshira Tatarit)
Nga Pajtim Çaushi
Tre vëllezër me shenjime poezitive
S'ka person në Konispol të mos ketë dëgjuar për Gani Tatarin. Ishte nga fisi i njohur i Tatarajve në lagjen Bregu i Koçit. Bajrami dhe Mineja lindën tre djem: Fuatin, Jonuzin dhe Ganiun. Të tre me shenjime pozitive për natyrën dhe mundësitë.
Fuati, i qetë, i zgjuar, fjalëpak, punëshumë. Familjar i shkelqyer. Human dhe i sakrificës. Kur vëllai i vogël ra në burg, ai u kujdes si për familjen e vet edhe për nipërit, mbesat e kunatën.

Jonuzi, tip inteligjenti. I pjekur në mendime e veprime. Luftëtar për liri që në moshë të re. Nga të rrallët që mbante shënime ditari për ngjarjet dhe shoqërinë.
Ganiu, vëllai i vogël. Në librin "Çaushajt e Konispolit" për të shkruhet:
"Gani Tatari ishte njeri i zgjuar, me inteligjencë natyrale. Natyrë e mprehtë, komunikues e bindës në debate. Në vitet 50' të shekullit XX kreu detyra të rëndësishme në administratën e kohës. Kryetar i Lokalitetit të Konispolit që përfshinte territorin deri në Dërmish. Më pas përgjegjës i Ndërmarrjes Tregtare me shtrirje në disa zona të rrethit të Sarandës.
Me katër fëmijë, më i madhi shtatë vjeç
Ganiu, i lindur me 1931, u martua me Dëshira Bejzatin (Dishon). Fëmija i dytë për Abedinin dhe Çibenë nga lagja Fund i Dushkut. Lindur në vitin 1935. E bukur, e shëndetshme, e zonja, shakaxheshë. Me shumë virtyte, por pa shumë fat në jetë.
Lindën katër fëmijë, dy djem Flamurin e Lamen dhe dy vajza Zizen dhe Ildishanen (Didon).
Në gusht të vitit 1960 Ganiun e arrestojnë me akuza të sajuara si për të gjithë të ndaluarit e të quajturit grupi tradhëtar i Teme Sejkos. E torturuan çnjerëzisht, e dënuan me pushkatim e pas apelimit ia kthyen 25 vite burg.
Dishua mbeti me katër fëmijë të vegjël, më I madhi shtatë vjeç. Një krah pune në kooperativë si
mund t’ia dilte në atë kohë varfërie të skajshme?… Edhe për bukën e gojës vuanin pasi fëmijëve ua prenë e kufizuan racionin.
Kunati i madh Fuati me të shoqen Nefon e mirë e të respektuar, me të cilin një mur i ndante, si dhe kunati tjetër Jonuzi me Sheqon eqetël e të urtë, u munduan t’i ndihmonin, megjithëse edhe vetë ishin të varfër e me shumë fëmijë.
Edhe motra e madhe Fetja i doli në krah. Atë që do hanë fëmijët e mi, do ta ndajnë me fëmijët e Dishos, tha të shoqit. Bajrami, jo vetëm që s'kundërshtoi, por e nxiti që ta bënte.
Dënim i sajuar me shpifje
Pse u dënua Gani Tatari dhe të tjerët e "grupi armiqësor çam"?...
Vetë Enver Hoxha tek libri "Për vigjilencën" shprehet kështu:
"Edhe sot s' jam i qartë për veprimtarinë armiqësore të grupit të Teme Sejkos..."
Kur nuk ishte i bindur drejtuesi i plotfuqishëm i kohës, atëhere pse u arrestuan, u torturuan, u dënuan e pushkatuan këta njerëz me emër të mirë dhe familjarë të kujdesshëm?...
Nënteksti është i qartë. I quajturi "grup armiqësor çam" u sajua nga strukturat e larta të kohës që patën shkak smirën, karierën, servilizmin, dasitë krahinore, urrejtije primitive...

Pasojat qenë të rënda dhe antinjerëzore. Të mënjanuar, të privuar nga arsimimi profesional, të shikuar vëngër nga pushteti e partiakët, të përgjuar, të spiunuar dhe deri të padëshiruar edhe për lidhje familjare e martesore.
Pra, ekzistenca e tyre ishte e kërcënuar në çdo hap të jetës.
Përjetime individuale
Që femijë Ganiun e kujtoj një njeri të hijshëm e të veshur me shije. Kostum ngjyrë kafe me vija të zeza. E vështrova me drojë e admirim pasi më dukej sumë i lartë. Për çdo fëmijë kryetari i Loklitetit ishte një lartësi e madhe.
1. Me shëndet mirë, po...
Në bazë të rregullave në burgje, Dishua shkonte dhe e takonte atëherë kur lejohej. Sa kthehej nga vizita, vinte në shtëpinë tonë në Pirrot. Hë, e pyeste motra, si ishte me shëndet Ganiu?...
Me shëndet mirë, po qimet kanë filluar t'i bien, përgjigjej me shaka e buzëqeshur Dishua.
2. E njeh atë atje?...
Ishte verë e vitir 1976. Në pasdite vonë pashë tek Rrapi i Konispolit një burë pak të kërrusur me kapele e kostum doku. Tek këmbët kishte një valiçe formë baullje. Nuk e njoha. N ë këtë kohë kalon atje dajko Myfit Bejzati. E njeh atë atje? - më pyeti. Jo, u përgjigja. Ganiu, më pëshpëriti, është liruar nga burgu, po Muli s'do që ta pranojë në shtëpi.
Eh, ku nuk i fuste hundët pushteti famëkeq i kohës!...
E vërejta me kërshëri. Edhe ai më vërejti. Mbase nga që më pa që bisedova me Myfitin të cilin e kishte kunat.
Në shtëpi Ganiun e pranuan, e deshën dhe e respektuan...
3. Kujtimi i dhimbjes rri i pambaruar
Një mëngjes po shkoja me klasën në kujdestari për në Cjepur, mal mbi Vërvë. Rruga kalonte nga shtëpia e Ganiut. Ishte në oborr. Më vërejti i buzëqeshur. E përshëndeta. U afrua. Pas pyetje përgjigjeve të zakonshme, i them për ta ngacmuar.
- Më në fund u mblodhe në shtëpi, i ke pranë të gjithë. Tani këtu nga Bregu si nga ballkoni kujto kohën e lumtur të viteve në burg!.
Më vështroi me sy të menduar. Ganiu të peshonte me vështrimin e tij të mënçur.
- Eh, ia bëri, vitet e burgut s'janë për t'u kujtuar, se kujtimi i dhimbjes qëndron i pambaruar.
4. Derisa do ketë njerëz, do ketë edhe padrejtësi
Pasi kisha lexuar shënimin e Enver Hoxhës për grupin e Teme Sejkos, rastisi që e takova tek udha mbi shtëpinë e Sheqir Korçës. Ia thashë. E kishte lexuar. Më kapi dorën.
Dëgjo, ma ktheu, per derisa do ketë njerëz, do ketë edhe padrejtësi.
Kaq, nuk shau, as ofendoi ndonjë... bile as akuzoi...
Pa bërë as pes hapa në atë të tatpjetë, u kthye e më foli nga larg.
Mbaje mend, tri gjëra ia bëjnë jetën njeriut të mjerë: hakmarrja, xhelozia dhe karakteri i dobët. Këto janë, do më kujtosh.
Më përshëneti me dorë e vazhdoi udhën e vet. E ndoqa me respekt siluetën e këtij njeriu të ditur.

5. Eshte brenda tek nente penxheret
Një pasdite vija nga Markati. U ktheva për një gotë ujë tek shtëpia e Ganiut. Në manxeto (dhoma e katit të parë) e gjeta me Dishon (tezen time). U gëzuan të dy. Ganiu mbanye një libër mnë dorë. E pyeta për titullin. Lakuriq mes ujqëve, ma ktheu, e ke lexuar? Atë roman për torturat dhe krematoriumet hitleriane e kisha lexuar.
Ja, këto ka kopjuar edhe ky yni se njëlloj janë, tha me pamje të trishtuar. Përdori përemra,jo emra. Kuptova se ku e kishte fjalën.
Letërsi jep në gjimnaz ti? - më pyeti. Kur pohova, ai nënqeshi me me pak humor. Do më thuash, cili është shkrimtari më i madh shqiptar në kohën tonë?
Pa mëdyshje, i përmenda emrin e Ismail Kadaresë. Jo, kundrshtoi, është Kasem Trebeshina.
Nuk e kam dëgjuar, i thashë me sinqeritet. Buzëqeshi. Ku do e gjeje?... Eshtë tek nëntë penxheret, tha. Pse i thonë nëntë penxheret burgut o tetosh? - e pyeta. Nga nëntë rrathët e Ferrit të Dantes... e kam lexuar, ma priti fare pa u menduar.
Kishte të drejtë. Burgjet e diktaturës qenë Ferri mbitokësor për të burgosurit politik të atyre viteve.
Përfundim
Ganiu s'është më. Iku në tejjetë pak pas Dëshirës. Edhe vëllezërit Fuat e Jonuzi. Atje janë tek Varrezat e Konispolit. Edhe të tjerë të dashur të ikur nga jeta në vite të ndryshëm atje janë. Atje ku do të shkojmë të gjithë...
Megjithatë, kur dal nga porta e Varrezave të Konispolit, duket sikur më ndjekin pas si jehonë fjalët që më ka thënë dikur Gani Tatari:
S'di si, se të gjallët janë mendje mendje... Po sikur të mund t'i bindja të gjithë se s'kam bërë asnjë faj ndaj vendit e familjes, do të ndihesha më i lehtë se respektin do më vinte nga të gjithë.
Tiranë, 14 nëntor 2025




Comments