Zëra që sfidojnë sklerozën multiple
- miremengjes.net

- Aug 9
- 3 min read
Nga Arjola KONFAKÇIU
është libri që iu shtua bibliotekës sime së fundmi, duke e pasuruar me tematikën dhe strukturën e veçantë.
E gjendur në promovimin e tij më erdhi mirë që mungonin personalitetet hipokrite që vishen me maskën e dhembshurisë, dhe u inkurajova që ata pak të pranishëm ishin fiks të duhurit, sepse copëzat e bisedave të çiltra që ndanë me të ftuarit duke i vlerësuar humanisht me prezencën e tyre aktive, ishin një tregues i mirëfilltë dhe i fuqishëm shfaqjeje empatie edhe në këtë formë, për njerëzit e prekur nga kjo lloj sëmundjeje.

Ja pse më grishi pak ajo ndjesia e brendshme për të dhënë kontributin tim, që ashtu siç e ndjeva se duhet ta gjeja kohën për të qenë në këtë aktivitet unik, sa informues aq edhe letrar e me përçim vlerash njerëzore, po ashtu edhe ti kushtoja vëmendje nëpërmjet të lexuarit me zemër përmbajtjes së atyre historive njerëzore, duke përjetuar dyfish me anë të ndjesisë së të shkruarit tim, përjetimet e tyre në ato rrëfime të sinqerta dhe reale.
... Jetojmë në kohën ku në përgjithësi mbizotëron fryma e mediave që 'shesin dhimbjen' duke përfituar nga historitë njerëzore nëpërmjet publikimit dhe keqpërdorimit për interesat e tyre, prandaj ndryshe nga kjo, fillimisht ajo që më bëri përshtypje në këtë libër ishte fakti që Fondacioni "Pema e Jetës" nuk e kishte ideuar thjesht si një broshurë a tjetër formë reklamimi për keqardhje apo përfitime, por si libër të mirfilltë, sepse përveç kapitujve informues dhe plotësues mjekësorë, të 11 historitë jetësore të personazheve të prekur nga sëmundja e sklerozës së shumëfishtë, ishin gërshetuar me elementët e duhur duke i dhënë dinjitet librit edhe nëpërmjet ISBN-së.
Gjuha e thjeshtë por e memorizuar nën kujdesin e teknikës letrare dhe e ndërthurur me mprehtësinë estetike nëpërmjet paragrafeve të shkurtra, herë me theksim shkronjash e herë me shkronja të pjerrta, e bënin më të qartë, më interesant por edhe më të përthithshëm për te lexuesi.
Aty ku letrarja shkrihej me narracionin dhe lartësonte njerëzoren, elementi i dashurisë humaniste bëhej edhe më i fuqishëm në grimca fjalish me përshkrim filozofik të dalë natyrshëm nga dhimbja e personave, të cilët synonin të jepnin këshilla të ndryshme por edhe të përçonin mesazhe me synim thirrës, ndërgjegjësues dhe inkurajues nëpërmjet rrëfimeve.
Gjatë leximit të historive të personave me mosha të ndryshme, të cilët se kanë patur të lehtë, por për motive dashamirësie dhe inkurajimi për të tjerë në ato rrethana kanë guxuar ta bëjnë publike nëpërmjet përfshirjes në libër, të rrënqethet mishi nga njohja e papritur e tyre me sëmundjen, nga përballja me shenjat e fillimit, vuan me situatat e ndryshme që kanë kaluar në sfidë me ndjenjat e shkurajimit, trishtohesh nga notat e dëshpërimit për vështirësitë në gjetjen e ilaçeve, problemeve të tejzgjatura socialo-shoqërore, përjeton që në ajër ndryshimin e jetës së tyre, gëzohesh nëse kanë patur dikë afër që e ka mbështetur, por edhe mahnitesh pa masë nga forca e të shprehurit në ngulmimin për qëndresën e tyre shpresëdhënëse edhe kur s'ka zgjidhje, aq sa s'mund t'ia ndalësh dot rrugëtimin disa pikëzave loti që dalin natyrshëm nga thellësia e shpirtit për këta njerëz me forcë unike.
Ja pse gjithë ky angazhim serioz i iniciatorit Tanush Çaushi (i cili është edhe njëri prej rrëfimtarëve) dhe bashkëpunëtorëve profesionistë vullnetarë, ka patur deri në botimin e librit padiskutim bekimin e Zotit, që sipas shumë prej të prekurve nga sëmundja tinëzare, ai ishte burimi i forcës për t'u ringritur dhe ndriçimi për ta gjetur forcën e qëndrueshmërisë brenda vetvetes, pavarësisht se pjesët enigmatike për të ardhmen e tyre kishin të tjera pikëpyetje.
Ama, nëpërmjet fragmenteve tingëlluese këta zëra, që siç përkufizohet edhe në titullin e librit "sfidojnë sklerozën", na tregojnë edhe një sekret, pasi në momentet e shkurajimit, aty ku mendohet se janë një hap para dorëzimit, ata dëgjojnë zërin e brendshëm pozitiv që i vendosur u pëshpërit fjalët: "Sfidoje! Munde! Rezisto! Mbijeto! Beso! Shpreso!"
Po, duke u dhënë dhimbjes fjalë, besimi u forcon shpresën, e pikërisht atë shpresë që përshkon me dashuri si një fije rrezatimi emocional të gjithë librin.
Arjola KONDAKÇIU - Poete, gazetare dhe Redaktore.




Comments