A ka "drejtësi europiane" vetëm për grekët, z. Ministër? Po çamët vëlla grek?
- miremengjes.net

- Jul 7
- 2 min read
Nga Tanush Çaushi
Më 7 korrik 2025, në qytetin e Korçës, Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, vizitoi Shqipërinë dhe bashkë me homologun shqiptar, Igli Hasani, inauguruan godinën e re të Konsullatës Greke. Nuk mundi aty edhe Eurodeputeti Beleri. Mjerë Europë ku arrite!!!
Në fjalimin e tij, Gerapetritis theksoi rëndësinë e minoritetit grek në Shqipëri si një “urë bashkëpunimi” dhe nënvizoi se “politikat e ndryshimit të kufijve i përkasin së kaluarës”. Në fakt askush nuk ka kërkuar ndryshim kufijsh, por të drejtat e njeriut, prona, kultura, gjuha e historia për çamët.
Me të drejtë se ai përfaqëson Greqinë. Por Ministri jonë i Jashtëm vetëm pohonte me kokë pa i thënë: " vëlla grek po çamët, çfarë do bëhet me ta?"
Këto deklarata vijnë në një frymë miqësie, por në mënyrë të pashmangshme nxisin një pyetje të drejtë dhe të ndjeshme si më poshtë:
Nëse Greqia kërkon të drejtat e pakicës së saj në Shqipëri , gjë që është e drejtë dhe e domosdoshme atëherë pse nuk pranon të flasë për padrejtësinë historike të bërë ndaj shqiptarëve çamë? A ka drejtësi vetëm për një palë?

Pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe më parë mijëra shqiptarë çamë u dëbuan nga trojet e tyre në Greqi, u përjashtuan nga shtetësia, u lanë pa prona dhe pa mundësi rikthimi apo kompensimi.
Këto ngjarje nuk janë thjesht histori të harruara, por realitet i pashëruar për shumë familje që jetojnë sot në Shqipëri.
Çamët nuk kanë kërkuar hakmarrje apo ndërrim kufijsh, por njohje, ndjesë dhe trajtim të barabartë.
Sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që Greqia e ka firmosur, çdo njeri ka të drejtën për pronën e tij, për trajtim të barabartë dhe për qasje në drejtësi. Këto janë vlera themelore të Evropës.

Është absurde dhe e padrejtë që këto të drejta të vlejnë për një minoritet në Shqipëri dhe të mohohen për një komunitet të tërë çam.
Nëse duam të ndërtojmë një fqinjësi të sinqertë dhe evropiane, atëherë duhet të ketë të njëjtat të drejta për të gjithë. Minoriteti grek në Shqipëri duhet të mbrohet dhe respektohet, por edhe çamët meritojnë drejtësi.
Një komision i përbashkët për dokumentimin e pronave, për rivlerësimin e rasteve të humbura dhe për hapjen e një dialogu zyrtar do të ishte një hap i ndershëm, njerëzor dhe europian. Por edhe Ministria apo edhe Kryeministri jonë I bën temena Greqisë...
Drejtësia nuk është një favor që jepet, por një e drejtë që respektohet.
Evropa nuk është vetëm treg dhe burokraci, por është mbi të gjitha një projekt moral, që bazohet te kujtesa, barazia dhe të drejtat njerëzore.
Nëse Greqia kërkon të drejtat e minoritetit të saj, atëherë duhet të jetë e gatshme të japë edhe ato të drejtat që i ka mohuar. Jo për të ndryshuar kufijtë, por për të vendosur drejtësinë aty ku është shkelur. Kjo është rruga e vetme për një Ballkan që e meriton Europën.
Referenca ligjore
Neni 1 i Protokollit Nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut: “Çdo person ka të drejtë për respektimin e pronës së tij.”
Neni 14: “Gëzimi i të drejtave dhe lirive duhet të sigurohet pa diskriminim.”– Neni 6: “Çdo person ka të drejtën për një gjykim të drejtë.”




Comments