Puna s’duhet të vrasë dhe shteti nuk duhet të heshtë më
- miremengjes.net

- Jun 13
- 3 min read
Nga Ing.Tanush Çaushi
Të gjithë duam të ndërtojmë me shpejtësi dhe cilësi, por sigurimi teknik nuk mund të mbetet në dëshirën dhe ndërgjegjen e zbatuesit dhe investitorëve. Po shteti çpo bën në këtë rast?
Vetëm në muajin Maj 2025, 5 persona humbën jetën në vendin e punës. Nga rëniet në ndërtim, deri te ekspozimi në kushte të rrezikshme, jeta e punonjësve po kërcënohet përditë.
Sipas burimeve zyrtare dhe raporteve mediatike, numri total i aksidenteve në punë për pesë muajt e parë të vitit ka arritur në 54, me 8 viktima. Edhe në Qershor 2025, situata nuk ka ndryshuar: çdo ditë regjistrohen mbi 50 aksidente, shumë prej të cilave ndodhin në kantiere ndërtimi.
Dhe ndërkohë që jetët shuhen në heshtje, institucionet shtetërore nuk japin asnjë reagim, asnjë analizë, asnjë plan konkret për përmirësim. Nuk ka komunikim publik, nuk ka transparencë, nuk ka përgjegjësi të shpallura.

Ku qëndron problemi?
Aksidentet nuk ndodhin rastësisht, ato ndodhin për shkak të mungesës së masave teknike, moszbatimit të ligjit, dhe kontrollit të dobët institucional. Dhe ju siguroj se inxhinieri është i pari që penalizohet, por i fundit që ka në dorë të ndryshojë diçka. Si të thuash e bën prift, por i heq mjekrën.
Ligji shqiptar për sigurinë teknike në kantier është i qartë si më poshtë:
Koordinatori i Sigurisë në fazën e projektimit (KS-Proj) harton Planin e Sigurisë dhe Koordinimit (PSK), duke identifikuar rreziqet potenciale që në fazën e parë të projektit. KS-Zbatimi mbikëqyr zbatimin e masave të sigurisë në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit teknikë.
Drejtuesi teknik i kantierit siguron që punonjësit marrin trajnime ditore dhe që sinjalistika dhe pajisjet mbrojtëse të jenë të pranishme dhe funksionale.
Mbikëqyrësi teknik kontrollon çdo ditë përputhjen me masat e përcaktuara në plan, ndërsa autoritetet shtetërore (IKMT/ISHPSHSH) duhet të kryejnë inspektime dhe të ndërhyjnë kur zbulohen shkelje.
Por, në praktikë, koordinatorët shpesh janë fiktivë ose pa certifikim. Dhe më kryesore janë të punësuar nga ndërtuesit dhe jo të pavarur dhe nuk kanë kompetenca në proporcion me përgjegjësinë që kanë.
Dokumentacioni nuk mbahet siç e kërkon ligji as fizikisht, as digjitalisht.
Punonjësit nuk marrin trajnime të rregullta reale dhe nuk pajisen me pajisje mbrojtëse (EPI).
Inspektimet janë të rralla, shpesh të paralajmëruara dhe pa pasoja reale.
Pra, ligji vendos para përgjegjësisë stafin inxhinierik, por e parashikon këtë një staf të varur nga ndërtuesi. Këtu del qartë se duhet që këto pozicione të mos jenë të varura, por të pavarura
Kjo që kemi nuk është mungesë ligji është mungesë vullneti. Jeta e punëtorit nuk mund të jetë kosto malli në një ekonomi që ndërton vetëm me shpejtësi, por pa kontroll. Duhet një kulturë pune ku siguria nuk është opsionale, por e padiskutueshme. Dhe kjo duhet të nisë nga lart, me shtetin që merr përgjegjësi reale.

Ligji i vakët ekziston, por edhe ky s’po zbatohet.
Radha e punës për sigurinë në kantier ekziston, por nuk funksionon pa përgjegjësi.
Ligji e ka të qartë, por këto hapa kush i kontrolloi ? Cfarë rezultate kemi deri tani nga institucionet përgjegjëse?
Investitori cakton koordinatorin dhe siguron buxhetin për siguri.
Koordinatori i Sigurisë harton planet (PSK, POS) dhe koordinon masat.
Drejtuesi Teknik i zbaton në praktikë, me trajnime dhe pajisje mbrojtëse.
Punonjësit duhet të jenë të trajnuar dhe të raportojnë çdo rrezik.
Mbikëqyrësi dokumenton çdo veprim dhe masë të marrë.
Autoritetet shtetërore duhet të inspektojnë dhe ndëshkojnë shkeljet.
Pra, ky mbetet thjesht një ligj edhe pse jo i mirë i pazbatueshëm.
Ka ardhur momenti të themi mjaft. Çdo jetë e humbur në punë nuk është statistikë – është alarm. Nuk mund të pranojmë më që aksidentet të trajtohen si “kosto e pranueshme” e zhvillimit, ndërkohë që përgjegjësit heshtin dhe shkeljet përsëriten. Duhet llogari, duhet reagim, duhet veprim.
Siguria nuk është luks. Është minimumi që një shtet duhet t’i garantojë qytetarëve të vet. Nëse punonjësit ndërtues janë kurrizi i ekonomisë, atëherë çdo jetë e humbur është dështim shtetëror i nivelit më të lartë.
Puna s’duhet të vrasë. Dhe shteti nuk duhet të heshtë më.




Comments