top of page

Aristidh Angjeli, një vlerë Intelektuale dhe njerëzore e qytetit, u largua sot nga jeta


Nga Hekuran Halili


U nda nga jeta inxhinieri me përvojë Aristidh Angjeli. Çdo cep i rajonit të Sarandës mban në vete dorën e projekteve të tij. Gjatë gjithë jetës së tij profesionale, ai nuk projektoi asnjëherë për të dëmtuar qytetin, por gjithmonë me dëshirën e madhe për të ruajtur vlerat e tij.

ree

Inxhinieri Aristidh Vasil Angjeli lindi në fshatin Kulluricë të zonës së Livadhjasë në vitin 1936, në një familje të madhe dhe të varfër, siç ishte shumica e popullsisë në ato vite të vështira. Vështirësitë e fëmijërisë ia shtoi edhe më shumë lufta e viteve 1940–1944, periudhë që Aristidhi e mbante mend mirë.


Shkollën fillore e kreu në Livadhja dhe shtatëvjeçaren në Aliko, disa kilometra larg fshatit të tij. Për ta mbaruar iu deshën shumë sakrifica, duke ecur çdo ditë në këmbë edhe në mot të keq. Në shkollën shtatëvjeçare u dallua me rezultate të shkëlqyera.


Për rezultatet e larta fitoi bursën për shkollën e mesme të ndërtimit në Tiranë, të cilën e mbaroi po ashtu me rezultate të larta. Dashuria për ndërtimin i hyri thellë në shpirt dhe e shtyu të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë të Ndërtimit në Tiranë (më vonë Fakulteti i Inxhinierisë), ku sërish u shqua për arritje të larta. Në vitet ’60 përfundoi studimet dhe fillimisht u emërua inxhinier ndërtimi në Hidrocentralin e Bistricës, në kantierin e tunelit, kantieri më i vështirë i punimeve. Punoi heroikisht në kushte tepër të vështira, duke fituar respektin e punëtorëve, specialistëve dhe personelit inxhiniero-teknik.


Inxhinier Aristidh Angjeli ishte një nga inxhinierët e parë të rrethit tonë. Me përfundimin e hidrocentralit, u emërua kryeinxhinier në kantierin e bonifikimit në Sarandë, me drejtori qendrore në Durrës. Punimet nisën fillimisht në rezervuarin e Mursisë. Kështu filloi jeta e tij si ndërtues i të gjitha veprave bonifikuese të rrethit të Sarandës. Pak vite më vonë, u emërua drejtor i Ndërmarrjes së Bonifikimit, pas shkëputjes së saj nga Durrësi.


Gjatë gjithë jetës profesionale u dallua si projektues dhe drejtues i aftë. Realizoi me sukses të gjitha veprat ujitëse të rrethit, si: Kanali “Thoma Filipeu”, tuneli i Tatazatit, hidrovorët e Çukës dhe të Vrinës, disa rezervuarë të zonës, e shumë vepra të tjera.


Për punën e tij të spikatur u thirr në Ministrinë e Bujqësisë, në Drejtorinë e Veprave Ujitëse, si projektues dhe koordinator. Në ato vite udhëtoi në të gjithë vendin, nga Tropoja deri në Konispol, duke parë nga afër veprat e mëdha të vaditjes dhe kullimit dhe duke dhënë kontribut të çmuar për zhvillimin e bujqësisë në vend.


Për punën e mirë, inxhinier Aristidhi u vlerësua me disa medalje dhe urdhra pune. Kudo ku shkoi punoi me seriozitet dhe përkushtim.


Me ndryshimet demokratike, Aristidhi, bashkë me familjen, la Tiranën dhe u kthye në Sarandë, ku punoi në Byronë e Studimit dhe Projektimit deri në privatizimin e saj. Pas privatizimit, u bë anëtar i shoqërisë private të Ndërtim-Projektimit “Kestrina”, bashkë me kolegët arkitekt Gligor Marto dhe inxhinier Hekuran Halili.


Pothuaj tridhjetë vjet punoi në këtë shoqëri me shumë përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, duke projektuar dhjetëra rrugë, kanalizime, vepra shoqërore, shkolla, spitale, hotele dhe banesa, deri sa doli në pension në moshën tetëdhjetëvjeçare.


Aristidhi ishte dhe mbetet një intelektual i përkushtuar ndaj zhvillimeve shoqërore dhe demokratike të vendit. U zgjodh kryetar i shoqërisë “Aristoteli”, shoqëri e intelektualëve të minoritetit, dhe kandidoi si i pavarur për deputet në zonën e minoritetit.


Bashkë me bashkëshorten e tij, Areti Angjeli, një grua e nderuar dhe e respektuar nga komuniteti sarandiot, e cila i shërbeu për vite të tëra Postë-Telegrafës së Sarandës, lindën dhe rritën tre djem: Vasillaqin, që u bë inxhinier ndërtimi si i ati; Sevon, një ndërtues i talentuar; dhe Florianin, një njeri me intelekt të veçantë që merret me punime elektronike.


Me ndarjen nga jeta të Aristidhit, familja humbi njeriun e saj të dashur, miqtë humbën mikun e përkushtuar, ndërtimi dhe kolegët humbën një inxhinier të talentuar e të përgatitur, ndërsa shoqëria humbi një njeri me vlera të mëdha që i dha shumë komunitetit.


I paharruar do të mbetet për Sarandën dhe bashkëqytetarët e tij inxhinier Aristidh Angjeli.


U prehtë në paqe!

Comments


bottom of page