top of page

"Dita e Detarit nuk është e Detarit"

Nga Klevis ELEZI


Çdo vit, më 25 qershor, institucionet shtetërore dhe strukturat që administrojnë sektorin detar në Shqipëri organizojnë aktivitete për të festuar “Ditën Ndërkombëtare të Detarit”.

Në parim, është një ditë që i dedikohet marinarëve, kapitenëve, oficerëve të flotës tregtare, peshkatarëve dhe të gjithë profesionistëve që jetën e tyre e kalojnë në det. Por në praktikë, kjo ditë rrallë u përket atyre që realisht i japin shpirt dhe identitet sektorit detar shqiptar.

Klevis Elezi, Autori i shkrimit
Klevis Elezi, Autori i shkrimit

Në vend që të jetë dita e detarit, është bërë dita e zyrtarëve. Nëpër sallone, ambiente luksoze, apo mbledhje protokollare, pjesa më e madhe e të ftuarve janë burokratë, politikanë, drejtues institucionesh dhe persona që me detin kanë lidhje vetëm përmes postit apo rrogës.

Detarët e vërtetë, ata që sfidojnë erërat, dallgët dhe fatkeqësitë natyrore, mbeten në hije të harruar dhe shpesh të papërfaqësuar.


Fjala e detarit mungon. Në asnjë nga aktivitetet zyrtare nuk dëgjohet zëri i kapitenit që ka kaluar dekada në timon, i oficerit që ka jetuar muaj të tërë në det të hapur, apo i peshkatarit që ushqen familjen me mundin e detit. Programet janë të përqendruara në fjalime institucionale dhe bilance burokratike, duke harruar se detaria është para së gjithash përvojë, sakrificë dhe pasion.


Festimet nuk përkojnë me realitetin. Të flasësh për zhvillim detarie, për standarde dhe përkushtim në sektor, ndërkohë që marina tregtare shqiptare është minimale, infrastruktura portuale ka probleme kronike, dhe të drejtat e detarëve shpesh shkelen, është më shumë hipokrizi sesa festë. Dita e Detarit do të kishte kuptim nëse në qendër të vëmendjes do të ishin problemet reale të detarëve: mungesa e sigurimeve sociale për marinarët e sektorit privat, mungesa e kodeve të mbrojtjes në portet shqiptare, abuzimi me oraret dhe pagat, kushtet e vështira të punës dhe mungesa e përfaqësimit të tyre sindikal.


Dita e Detarit nuk mund të jetë thjesht datë kalendarike. Ajo duhet të jetë reflektim. Në vend që të jetë një ceremoni për të mbushur ekranet e televizioneve lokale me fjalime formale, kjo ditë duhej të ishte platforma ku dëgjohet zëri i profesionistëve të detit dhe adresohen kërkesat e tyre. Detaria nuk është veç histori e lavdishme dhe simbole flamujsh, është një profesion që kërkon kujdes, politika të qarta dhe respekt.


Në këtë mënyrë, aktualisht, “Dita e Detarit nuk është e Detarit”. Është një ditë burokratësh për të fotografuar veten, për të lexuar statistika dhe për të bërë deklarata të zakonshme. Deri ditën kur detarët të jenë të përfaqësuar realisht në vendimmarrje, të kenë një organizatë të fortë për të mbrojtur interesat e tyre dhe të kenë mundësinë të flasin vetë për hallet dhe sukseset e tyre, çdo 25 qershor do të jetë një fasadë zbukurimi për institucionet dhe jo një ditë për të nderuar ata që e mbajnë këtë sektor gjallë.


Comments


bottom of page