Durrësi "i varfër", që më "pasuroi" artistikisht nga koncerti i Inva Mulës
- miremengjes.net

- Aug 24
- 2 min read
Nga VAKA BLER
U deshën tri xhiro rreth e rreth qendrës së Durrësit, murit bizantin, Velierës dhe hyrjes së portit, që të gjeja një vend për të parkuar. E pasi me vështirësi gjeta parkimin, nxitova për në Amfiteatrin Antik të Durrësit. Fakti që lashë makinën diku te porta nr. 2 e portit të Durrësit dhe që duhej të ecja pak, më bëri njëkohësisht nostalgjik por edhe të mllefosur...

Mendimi im i parë ishte: “Ky nuk është më Durrësi ynë”, sepse realisht ka ndryshuar gjithçka. Dikush do të thoshte për "mirë" ndërsa unë pa mëdyshje do të thosha për "keq".
Bulevardi i bllokuar si dikur, në sezonin veror mbrëmjeve s'kishte as çerekun e njerëzve të dikurshëm. Edhe për këtë dikush do të thoshte: “Janë shtuar vendet e shëtitjeve”. E vërtetë por i ka ngordhur zemra këtij qyteti. Ka vdekur logjika sesi duhet të menaxhojmë dhe zhvillojmë qytetet tona. Në të gjithë botën ka një qendër të mirëorganizuar, ka një vend ku ti i gjen të gjitha, dhe periferi që vetëm i japin frymëmarrje tejkombjes dhe shtratet e fjetjes vendeve të mëdha të pushimit.
Më trishtoi “Durrësi im"!
Hera e parë për 2025 që hyj në orët e mbrëmjes për në qendër të Durrësit. Nuk ka parking, nuk ka dyqane si dikur, nuk ka shërbim, nuk ka asnjë fushë magnetike e as...
Po mendoja që kanë kaluar vetëm 5-6 vjet nga tërmeti shkatërrimtar, por që duhej të na mbushte me mend, ndërkohë që jemi bërë më të pamend se ç’ishim.
Shyqyr që mankthit të mendimeve po i vinte fundi. Po hidhja hapat e fundit për në cepin e arratisjes.
Ftesa për në koncertin e veçantë të mjeshtres Inva Mula më ishte borxhli për këto tortura.
Spektakli kishte nisur në minutën e parë ndoshta të dytën. Kishte vetëm zhurmë ere e dallgësh në sfond me dritat shumëngjyrëshe.
Në fillim më dukej vërtet një vend epik, një masiv dheu dhe gurësh që kishte mbledhur spektatorë që po prisnin melodi të universit, po prisnin diçka mistike. Dikur arena e gladiatorëve, ndërsa sonte po zhvillonte një muzikë mitike. Kompozime jo aq të vjetra, por që mua me rrëmbenin në botën antike.

Por sapo u dëgjuan zanoret e para të së madhes Inva qenia ime hyri në një oaz në mes të shkretëtirës. Vonesa m’u bë borxhli për qëndrimin tim në këmbë ashtu si edhe i gjysmës së spektatorëve. Publiku vendas dhe i huaj kishte surprizuar duke dalë jashtë parashikimeve për vendet ulëse.
M’u bë shumë qejfi!
Pak aktivitete t'mbushin me art shpirtin.
Minutë pas minute ndjeja që me zërin e Invës dhe prezantimin e mirë të të gjithë pjesëmarrësve po më detoksifikohej trupi dhe mendja prej zhurmave të shumëllojshme nga klubet me muzikë konsumi, deri tek kaosi i qyteteve tona.
“Sa i mungojnë Durrësit aktivitete të tilla shpirtërore”, mendova me vete...




Comments