top of page

Etika e Personalitetit Veterinar

Etika e Personalitetit Veterinar

Autori: Dr. Agim Nelaj – Doktor Shkencash në Veterinari, Mjek Veterinar me një eksperiencë të gjatë profesionale

ree


Etika e personalitetit veterinar është një marrëdhënie ku evidentohet qartësisht formati profesional dhe moral i individit. Kohët e fundit po diskutohet gjerësisht për blegtorinë, problemet veterinare, organizimin, ligjin “Shëndeti i Kafshëve”, sigurinë ushqimore, për AKU-në dhe riorganizimin e saj, tregtimin informal të qumështit dhe nënprodukteve të tij, e shumë çështje të tjera.


Vërej me keqardhje se, për problemet e ndjeshme veterinare, shpesh diskutojnë persona që nuk janë të fushës: biznesmenë, gazetarë jashtë këtij profili, apo individë me interesa direkte në prodhimet blegtorale. Rrallë ndodh të ketë një emision për blegtorinë, veterinarinë apo sigurinë ushqimore, ku të mos jetë pjesë e panelit ish-zv.ministri i Bujqësisë, z. Alban Zusi, i cili flet me “kompetencë” për gjithçka që lidhet me fushën dhe jep “zgjidhje” për të ardhmen. Televizionet kanë interes nga këto diskutime, pasi jo vetëm i rumbullakosin problemet, por edhe i relativizojnë ato.

Mungesa e zërave profesionalë


Janë të paktë personalitetet veterinare që njohin mirë gjendjen, kanë ide të qarta dhe marrin pjesë aktivisht në diskutime, duke dhënë mendime për sot dhe për të ardhmen si Prof. E. Panariti, E. Resuli dhe disa të tjerë. Megjithatë, nuk besoj se mjekësia veterinare shqiptare është reduktuar vetëm në kaq pak figura. Ka mjaft të tjerë që heshtin, qëndrojnë në hije.

ree

Intelektuali i mirëfilltë është antikonformist ndaj pushtetit, kushdo qoftë ai. Vartësia nga politika, për të zënë apo ruajtur një vend pune, tregon një nivel të cunguar profesional dhe paaftësi. Çdo rikonstruktim institucional apo krijim i ri strukturash nuk do të sjellë përmirësim, nëse “kuajt” mbeten po ata “kamxhiku” është politika.


Mospërfillja dhe qëndrimi indiferent ndaj problemeve që janë përkeqësuar kohët e fundit tregojnë se ish-drejtuesit presin sinjal nga politika. Frika, e cila sjell mungesën e lirisë, ka dëmtuar rëndë frymën konstruktive të diskutimit mbi çështjet veterinare.

Titujt shkencorë dhe realiteti


Nuk di se kur e kanë radhën për të folur profesionalisht të ashtuquajturit intelektualë, që kanë grada shkencore e nuk janë të paktë në numër. Siç thotë filozofi Erich Fromm në librin “Të jesh apo të kesh”, mund të kesh tituj, por të mos jesh realisht i tillë. Në etikë ka rëndësi ajo që je, jo vetëm ajo që deklaron se ke.


Komunikimet e politizuara shpesh cenojnë interesat e shumicës së specialistëve që punojnë në kushte jo të favorshme. Vlerat e intelektualëve veterinarë nuk lidhen vetëm me nivelin akademik, por me alternativat që ofrojnë, paraqitjen, përmbajtjen dhe përfundimet që japin.

ree

Pozicioni shkencor apo akademik duhet të dalë në pah në shkrime, diskutime, paraqitje projektesh dhe prononcime publike. Do të ishte e udhës që rrethet akademike dhe personalitetet e fushës të debatonin mbi koncepte si “Sovraniteti Veterinar”, “Sovraniteti Kombëtar i Ushqimit” apo “Pasiguria Ushqimore” në kushtet aktuale.



Karakteristikat e një personaliteti veterinar


Një personalitet i mirëfilltë në këtë fushë fitohet përmes komunikimit me kolegët, krahasimit dhe shkëmbimit të përvojave, marrjes dhe dhënies së ideve. Kur komunikimi kthehet në një apologji vetjake, ai ngjall vetëm kundërshti, xhelozi dhe antipati.


Shpesh, disa i japin më shumë rëndësi prezantimit akademik sesa thelbit të problemit. Para se të flasin për çështje shqetësuese, prezantojnë gradat dhe institucionet ku janë diplomuar – ndonjëherë duke shmangur qëllimisht emra të njohur. Kjo formë mburrjeje është cenim i etikës.


Në kuptimin social, “personalitet” përfaqëson tërësinë e vlerave të një intelektuali në një fushë të caktuar, siç është mjekësia veterinare. Kjo përfshin:

Sjelljen publike, verbale dhe joverbale.

Iniciativën dhe guximin profesional.


Modelin e përgjithshëm e të qëndrueshëm në reagim ndaj njerëzve dhe ngjarjeve.

Ruajtjen e ekuilibrit midis të drejtave të individit.

Pavarësinë në gjykim dhe besueshmërinë.


Përfundim


Në mjekësinë veterinare shqiptare gjithmonë ka pasur e ka personalitete që përbëjnë elitën e saj. Jeta dhe veprimtaria e tyre bazohen mbi ide, koncepte dhe praktika të përbashkëta, që përbëjnë themelin e një prej shërbimeve më të vjetra e më të organizuara në vendin tonë.


Ky personalitet duhet të përçojë një nivel të lartë përfaqësimi, mendje të hollë, shikim të qartë dhe të ndjeshëm, duke qenë mbrojtës i cilësive më të larta. Kjo është një kërkesë e kohës dhe lidhet me pyetjen: Cili është niveli i veterinarisë sot?


Megjithë zhvillimet e reja, ekzistojnë ende pikëpyetje mbi të sotmen dhe të ardhmen, dhe mbi nevojën për personalitete të spikatura. Në fakt, ato nuk kanë munguar kurrë, por koha i ka rralluar. Si çdo profesion tjetër, edhe mjekësia veterinare duhet të gjejë vetë rrugën e saj dhe kjo po bëhet çdo ditë e më e domosdoshme, pasi problemet në këtë fushë vetëm sa shtohen.

Comments


bottom of page