Hekuran Halili: "Është tepër vonë. Çfarë mbollët, do të korrni..."
- 25 minutes ago
- 5 min read
Nga Hekuran Halili
Shkrimtar, poet dhe inxhinier ndërtimi
"Është tepër vonë. Çfarë mbollët, do të korrni..."
Marr shkas nga zhvillimet e fundit në Zvërnec e Tiranë dhe po sjell në vëmendjen tuaj, miq të mi, një shkrim shkruar para shumë e shumë vitesh, kur presidenti ynë ishte i ndjeri Nishani dhe vinte ta vizitonte presidenti i Greqisë, i ndjeri Papuljas.
Kur u botua në disa organe shtypi, pata sulme dhe pasoja të rënda. Nëse do të keni durimin ta lexoni e të mësoni se si ishte Jugu i Shqipërisë atëherë, do të çuditeni. Por sot gjendja është katastrofale, aq sa pa frikë mund t'i themi shtetit e pushtetit shqiptar: është tepër vonë. Çfarë mbollët, do korrni.
I ndërgjegjshëm për pasojat, mbasi askush në Jug nuk interesohet për atdhetarizmin, në Ksamil–Sarandë bregu i detit është ndarë në parcela private me shezlongë që këmbët i kanë në ujë. Nga Porti Turistik deri në Portin e Mallrave, i gjithë bregdeti është ndarë e rrethuar, me 4-5 porta nga ku mund të kalojnë sarandezët e lindur dhe rritur në këtë bregdet vetëm duke paguar.
(Për transparencë kanë lënë plazh publik një rrip 40 metra tek ish-Pllakat Publike, në një gjatësi bregdetare mbi një kilometër.)

Një gardh jo si ai i Zvërnecit, por i bukur, me kangjella e me porta. Por përsëri gardh i keq, sepse duhet të paguash ta kalosh.
Vjet na u tha se plazhet Ksamil–Sarandë do menaxhohen nga Bashkia. A mund të besojmë më tek llafet e qeveritarëve qendrorë dhe lokalë? A nuk bën kjo gjendje që njerëzit të dalin në protesta të organizuara nga kushdo e me çdo qëllim të keq?
Plazhi i Ri tek ish-Fabrika e Miellit është tej mase i ndotur. Po ashtu edhe vija para shëtitores me gurë, po aq e ndotur, se derdhen ujërat e zeza herë pas here dhe mbushesh me alergji e puçrra po u fute të lahesh.
Tepër vonë...
Situata në Jug ka agravuar aq, sa edhe i ndjeri president Papuljas nuk do ta mendonte dot kurrë që Vorio-Epiri grek i vitit 1914 do bëhej realitet kaq shpejt.
Tepër vonë zoti President.
Tepër vonë zoti Kryeministër.
Tepër vonë deputetë të pozitës dhe opozitës shqiptare.
Jugun e Shqipërisë e shitët me veprimet dhe mosveprimet tuaja. Edhe sikur të tentoni tani të shtrini dorën e qeverisjes shqiptare, të ligjit dhe autoritetit shqiptar nga Shkumbini e poshtë, nga Athina dhe nga Republika e Vorio-Epirit do të trumbetohet si sulm ndaj Greqisë.
A nuk e tha botërisht këtë ngjarja e Zvërnecit?!
Ja dhe shkrimi im shkruar para shumë vitesh, më aktual sot, pa shtuar e hequr asnjë fjalë.
VIZITA ODISENIANE E Z. PAPULJAS
Një reflektim politik me analogji historike
Udhëtimi i z. Karoljos Papuljas nga Athina për në Tiranë për shkak të një vizite zyrtare, i ftuar nga presidenti ynë z. Bujar Nishani, nuk kaloi në ngushtica e stuhi detare si ai i Odisesë, i cili, mbasi shkatërroi me dinakëri Trojën pellazgjike, vuajti shumë për t’u kthyer në Itakë.
Ju desh Odisesë të lidhej me litar nga shokët e vet, të mbyllte veshët me dyll për të mos dëgjuar këngët e lutjet e sirenave për t’u kthyer tek to e të harronte Penelopën, gruan që e priste duke endur qilimin e famshëm e sa e sa peripeci të tjera.
Karoljos Papuljasit i mjaftuan vetëm nëntëdhjetë minuta për këtë udhëtim komod, mbasi sot, mbas dymijë e ca vitesh nga bërja shkrumb e Trojës, ka aeroplanë që fluturojnë në qiell nëpërmjet ngushticave të reve, pa sirena.

Por përsëri udhëtimi i tij ka shumë ngjashmëri me atë të Odisesë.
Vërtet që Tirana nuk është si Troja, ndonëse për koincidencë të dyja fillojnë me “T” e të dyja janë kryeqendra, por është fakt historik që trojet e viset e shtetit që ka për kryeqendër Tiranën, Shqipërisë, kanë qenë e mbeten të lakmuara si nga grekët e vjetër, ashtu edhe nga këta të sotmit.
Morën në vitin 1880 Artën me rrethinat e saj, morën në vitin 1913 krejt Epirin (Çamërinë) prej Pargës deri në Kalama e Konicë, luftuan të merrnin në vitin 1949 Gramozin me Ersekën e Leskovikun, por nuk mundën, kërkuan të merrnin në vitin 2010 një pjesë tonën nga deti Jon e me shumë gjasa na e morën.
Politika e zgjerimit dhe kujtimet e udhëtimit
Politika shekullore e ndjekur nga shteti grek, që me lindjen e tij në vitin 1828 nga gjaku i arvanitasve dhe shqiptarëve e deri në ditët e sotme, ajo e rritjes dhe zgjerimit të tij në kurriz të shteteve fqinje, nuk ka të reshtur.
Shtuar faktin që në drejtim të Turqisë, Bullgarisë e Maqedonisë i është vënë prej kohësh kufiri tek thana, i vetmi vend e drejtim ka mbetur Shqipëria...
Me siguri këto ka menduar epirioti prej Voshtine, presidenti Papuljas, sapo zuri vend në avion.
Për koincidencë e ngjashmëri me Odisenë, edhe atij iu desh të lidhej me rripa, të mbyllte veshët me kufje për të evituar zhurmën dhe ekuilibruar presionet, siç Odiseja i mbylli veshët me dyll.
Në ato nëntëdhjetë minuta udhëtimi solli ndër mend vizitën e tij të parë në vitin 1987, të dytën në vitin 1993, problematikën, ecurinë e marrëdhënieve, pa harruar të bënte bilancin nga vizita e parë deri tek kjo e fundit që ishte duke bërë...
Bilanci sipas autorit
Bregdetin ortodoks pothuaj e helenizuam. Himarën as që e diskutojmë me përjashtime të vogla. Pjesën më të shëndoshë të arumunëve e kemi bashkuar me Omonian e PBDNJ-në, partinë tonë.
Bile ata kanë shkuar edhe më tej nga sa prisnim për hir të pensioneve që u jepnim; kanë helenizuar edhe pyjet në zonat ku banojnë, duke gdhendur në trungjet e pemëve "ZITO ELLADHA" (Rroftë Greqia), mendonte Papuljasi.
Në të gjitha fshatrat e komunat minoritare de facto është fituar autonomia. Më shumë dëgjohet zëri e urdhri i shtetit grek dhe qarqeve të Vorio-Epirit se ai i shtetit shqiptar.
...
Fundi i vizitës
Më mbrapa vjen pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite odiseniane. Kthimi fitimtar nga Tirana për në Athinë.
Me helikopter ushtarak grek do të shkojë në Gjirokastër, dikur kryeqytet i shtetit të Vorio-Epirit të shpallur nga qeveria e Zografosit në vitin 1914.
Për ironi, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës është një djalë Labërie, krahinë që në vitet e Luftës së Parë e të Dytë Botërore, ushtria greke dhe bandat ortodokse të Zografosit bënë krime të panumërta.
...
I shoqëruar nga Janullatosi, mitropoliti grek i Gjirokastrës, konsulli grek, drejtues të Omonias dhe të PBDNJ-së, pushtetarë lokalë e përfaqësues të tjerë të minoritetit, do të vizitojë varrezat e ushtarëve grekë, do të vendosë kurora dafine dhe më pas, me helikopter ushtarak grek, do të bëjë një fluturim mbi të ashtuquajturin Vorio-Epir.
Ndoshta fluturimi i fundit për të për shkak të moshës.
Më pas do të kthehet në Athinë triumfalisht për rezultatet e vizitës së tij odiseniane.




Comments