top of page

Hidajet Islamaj - Ura që lidh dy brezat e folklorit çam

Autor: Sali Nuredini

Kam rreth 30 vite që njoh nga afër artistin e shquar Hidajet Ismaili. Ai është një qytetar model dhe një muzikant i pasionuar, një njohës i shkëlqyer i këngës çame, si dhe virtuoz i instrumenteve muzikore, sidomos i violinës dhe klarinetës.

Energjia dhe përkushtimi i tij e bëjnë një figurë të veçantë në kulturën tonë popullore. Hidajeti është një organizator i palodhur dhe pjesëmarrës i rregullt në çdo aktivitet të krahinës së Çamërisë e Konispolit: nga festat historike e takimet ndërbrezore, deri te gëzimet familjare.

Hidajet Ismaili është autor i shumë teksteve dhe videoklipeve, si dhe bashkëpunëtor i afërt me këngëtarë të ndryshëm të folklorit shqiptar. Ai ka qenë i pranishëm në shumë emisione televizive, duke përfaqësuar me dinjitet traditën dhe muzikën popullore në kanale kombëtare si: TVSH, Vision Plus, Top Channel dhe TV Klan.

ree

Muzika e tij është e rrënjosur në shpirtin e krahinës, duke i kënduar historisë, traditës, bukurisë dhe dashurisë, gjithmonë në dialektin çam.

Hidajeti ka përfaqësuar Shqipërinë dhe Çamërinë edhe në skena ndërkombëtare. Në korrik 2025, si pjesë e orkestrinës së ansambleve “Krahu i Shqiponjës – Taip Madani” (Vlorë) dhe “Osman Taka” (Konispol), ai performoi në festivalin botëror të CIOF në Porto të Portugalisë.

ree

Së bashku me muzikantët Arjan Shumbuli, Rolando Mato dhe Aristotel Marko, orkestrina shqiptare u prit me duartrokitje dhe vlerësime të veçanta, duke dëshmuar se arti popullor ynë mbetet i gjallë dhe i respektuar kudo në botë.

Hidajet Islamaj nuk është thjesht muzikant – ai është një njeri me zemër të madhe, i përulur dhe i dashur, si në jetën e përditshme ashtu edhe në skenë. Ai nuk kërkon luks apo skena moderne: mjafton një shesh, një rrugë apo një tavolinë mes miqsh që arti i tij të shpërthejë natyrshëm.

Hidajeti mbetet ndër të rrallët artistë që nuk bën “pazare” për artin. Sigurisht, si çdo artist, edhe ai meriton vlerësimin dhe shpërblimin për punën që mban gjallë jo vetëm traditën, por edhe familjen e tij.

Hidajet Ismaili është një artist që përshtatet me çdo moshë, një njeri që i jep jetë çdo skene ku shfaqet dhe një bilbil i vërtetë i këngës popullore të Çamërisë. Muzika e tij buron nga shpirti dhe i flet drejtpërdrejt zemrës së publikut.

Për mua, është një fat i madh dhe një krenari e veçantë të kem pasur nderin të punoj me të.


Zoti i dhëntë jetë të gjatë dhe shëndet këtij artisti të madh të Çamërisë.


Respekt pa fund për Hidajet Ismailin.


Përgatiti për botim: miremengjes.net

Copyright

Comments


bottom of page