top of page

Inxhinieri i talentuar, njeriu me ideale të mëdha, sa dhimbje në shpirt na la...

Nga Bardhyl Bejko*


Ende djem të rinj, sapo përfunduam gjimnazin për vitin e stazhit, ne që nuk morëm të drejtë studimi na caktuan në hapjen e kanalit të Bufit, një vepër madhore për ujitjen. Ende nuk e dinim çfarë ishte ndërtimi i një kanali me përmasa të tilla. Herët në mëngjes tek ndërtesa e baxhos të “Bufit”, buzë liqenit të Rrëzës, ku do flinim, na njoftuan se do vinte nga Saranda vetë drejtori.


Prisnim me kureshtje cili do ishte, çfarë do na thoshte, cila ishte detyra jonë. Fiks në orën e caktuar, një gaz i markës sovjetike, ndali para nesh. Prej tij zbriti ai që na thanë ishte drejtori. Aristidh Angjeli e quanin. I gjatë, burrë simpatik, trup atleti, symprehtë, me thjeshtësi na u drejtua:

-Mirëmëngjes, djema! Do jemi bashkë. Do më keni këtu sa herë të më jepet mundësia. Nuk jam drejtor për ju, jam prind dhe miku juaj. Mos e merrni me frikë. Do mësoheni. Ne do ju krijojmë të gjitha kushtet e nevojshme.

ree

Dhe vërtet ashtu ndodhi. Inxhinier Aristidhi u bë një nga ne. Sa herë vinte na sqaronte për gjithçka. Kishte kulturë pune dhe ishte erudit në të gjitha fushat. Sytë i lëshonin xixa dhe nga goja nxirrte veç fjalë të ëmbla. Për një muaj mësoi emrat të dyzetë stazhierëve. Për secilin dinte nga cili fshat ishte, ku i punonin prindërit dhe cila ishte mesatarja e maturës. Hera e parë që takoja një intelektual me kaq përkushtim dhe modest, të vemendshëm dhe kaq të përkushtuar. Për vite me radhë pata fatin ta njoh edhe më mirë Aristidh Angjelin.


Të njoh jetën e tij të vrullshme. Studentin e shkëlqyer dhe inxhinierin e gjithanshëm. Me përkushtim të rrallë, të pakrahasueshëm, Aristidh Angjeli u bë një ikonë e respektit dhe virtyteve, një intelektual poliedrik,njohës në thellësi i shkencës së ndërtimit të hidroteknikës, të arkitekturës të ndërtimit, të digave dhe hapjes së tuneleve. E nisi herët me tunelin e Bistricës. Me kanalin e gjatë prej derdhjes së lumit “Bistricë” “Thoma Filipeu” deri tutje në Livadhja, duke i dhënë jetë fushave pa fund të Vurgut deri atëherë të thara për një pikë uji. Veprimtaria e Aristidhit si bir i shquar i Vurgut, e lartësoi atë për guximin në të gjitha fushat për projektet dhe idetë novatore.


Nga Kullurica, ku u lind, deri në Ministrinë e Bujqësisë. Aristidhi mbetet babai i ujitjes dhe kullimit jo vetëm të Vurgut, po në çdo cep të Shqipërisë. Sa idealist aq edhe profesionist. Talent dhe vullnethekurt, i patrembur dhe i pamposhtur vuri mendjen dhe energjitë në interes të zhvillimit dhe mirëqënies. I kudondodhur, njësh me punëtorët, me çizme e kostume pune, ai qëndroi çdo ditë me punëtorët, të cilët i deshi me tërë forcën dhe shpirtin e tij të madh. Kush e njohu dhe nuk u krenua! Kush i kërkoi ndihmë dhe u refuzua! Cili e pyeti dhe mbeti pa përgjigje. Inxhinier me ide dhe mendime të mëdha. Ai flinte dhe zgjohej mbi projekte si një at i madh që u jepte shpirt dhe i bënte të dukshme për të gjithë. Shërbeu kudo si intelektuali vizionar dhe jetoi modestisht si shumica e qytetarëve, pa kërkuar privilegje, pa shfrytëzuar postet dhe detyrat e rëndësishme që kreu gjatë tërë jetës me përfundimin e universitetit në fakultetin e inxhinierisë. Nuk e pashë një sekondë të trishtuar, as të nxehur. Gjithnjë buzagaz dhe me tone të ulëta.


Bashkënxënësit e Aristidhit, si Kiço Xhaferi në Livadhja tregon sa i etur ishte ai për diturinë. Vit pas viti u lartësua dhe ndërtoi portretin e intelektualit që rrezatoi ide, mendime dhe propozime që i shërbyen përparimit. Vitet u fundit punoi në studion private me dy inxhinierë të talentuar. Arkitektin Gligor Marto dhe inxhinier konstruktor,Hekuran Halili. Studioja e tyre ishte vendi ku u hartuan dhe projektuan shumë projekte. Aristidhi me disiplinën e jashtëzakonshme që ishte brumosur, mbërrinte në zyrë i pari dhe largohej i fundit. Nuk ishte vetëm një studio inxhinierike por edhe një klub të diturish, ku diskutoheshin e rriheshin mendime e zhvilloheshin debate mbi letërsinë dhe filozofinë. Aristidhi ishte intelektuali i lexuar dhe i plotësuar me ide dhe përvojë të pamatë.


Njohës i filozofëve të lashtë dhe të rinj. Një demokrat i vërtetë. Përbashkues mes komuniteteve dhe feve. Ishte një minoritar grek si prej smeraldi, por njëherazi edhe një shqiptar krenar. Kurrë nuk u fryi ndasive. Ishte i bashkimit dhe përparimit. Për gjithçka ishte dhe bëri e tërë jeta e inxhinier Aristidh Angjelit mbetet një legjendë e jetuar mes njerëzve. Është për të gjitha këto arësye që ikja e tij nga kjo jetë ndarja nga familja, të afërmit dhe qytetarëve të Sarandës dhe tërë Vurgut deri në Leshnicë nuk i mbajtën dot lotët. Hidhërim i ligjshëm për një personalitet të inxhinierisë dhe dashurisë njerëzore. Inxhinier Aristidh Angjeli do mbetet sa jetë të ketë mbi dhe njeriu i mirë që la gjurmë të thella dhe respekt njerëzor. Nuk humbi vetëm familja. Nuk u trishtuan vetëm kolegët e tij të shumtë.


Saranda humbi qytetarin model. Të gjithë ne një pjesë të shpirtit tonë se ai ishte miku i të gjithëve .I tillë do të mbetet si rreze që do ndriçojë në vitet që vijnë. Ujërat që do rrjedhin në veprat hidroteknike që ai ideoi dhe projektoi do përshpërisin me butësi si një melodi dhe ninull përcjelljeje inxhinierin e talentuar, Aristidh Angjeli!


  • Gazetar

Comments


bottom of page