top of page

Koha për Pardon: Greqia duhet të përballet me të vërtetën e Çamërisë

Nga Redaksia


Ka plagë që nuk i shëron koha. Ka të vërteta që nuk i mbulon harresa. Dhe ka padrejtësi që nuk mund të justifikohen me heshtje diplomatike. Kjo është thelbi i një letre të hapur që shkrimtari dhe ish-ambasadori Luan Rama i ka dërguar drejtuesve më të lartë të shtetit grek – Presidentit, Kryeministrit dhe Parlamentit ku u kërkon një akt të vonuar, por të domosdoshëm: të kërkojnë falje për masakrat dhe dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë viteve 1944–1945.

Luan Rama
Luan Rama

“Unë ju akuzoj,” shkruan Rama në letër, duke evokuar tonin e famshëm të Zola-s, “që për 80 vjet shteti grek ka heshtur për masakrat e ushtrisë greke në Çamëri... dhe ka bërë ç’është e mundur që kjo çështje të harrohet.”

Në një nga kapitujt më të errët të historisë ballkanike, mijëra shqiptarë çamë u vranë, u masakruan dhe u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre, vetëm për shkak të etnisë dhe fesë. Arkivat britanike, shqiptare, greke dhe të OKB-së e dokumentojnë këtë krim të njohur ndërkombëtarisht, por që ende sot nuk është pranuar zyrtarisht nga Greqia.


Çështja nuk është territoriale – është njerëzore

Luan Rama thekson me qartësi se shqiptarët çamë nuk kërkojnë as territore, as ndryshim kufijsh:“Ata kërkojnë shtëpitë dhe gurët e tyre.”

Ky është një apel për drejtësi morale, jo për pretendime politike. Dhe për këtë arsye, mungesa e një ndjese nga autoritetet greke nuk mund të justifikohet më.


Pse kërkimi i faljes është i domosdoshëm?

Bota demokratike ka njohur akte madhore pendese nga shtete që kanë pranuar krimet e së kaluarës si një hap drejt pajtimit:

  • Franca ka kërkuar falje për masakrat në Algjeri e Madagaskar.

  • Gjermania për Holokaustin dhe kolonializmin në Afrikë.

  • Holanda për krimet në Indonezi.

  • SHBA për trajtimin e amerikanëve indigjenë.

  • Afrika e Jugut për apartheidin, përmes Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit.

    ree

Greqia, si një shtet anëtar i BE-së dhe si një demokraci e konsoliduar, nuk mund të shmangë përgjegjësinë historike me justifikime të vjetra si “bashkëpunimi i disa çamëve me pushtuesit”. Po atë bashkëpunim e pati vetë qeveria e Joanis Rallis me nazistët – një fakt që nuk përmendet kurrë.


Kujtesa nuk është hakmarrje – është respekt


Rama citon filozofin francez Paul Ricoeur, për të shpjeguar se kërkimi i faljes nuk është një akt dobësie, por një formë e lartë civilizimi:

“Pardoni është një përgjigje për dhimbjen e pashmangshme të kujtesës... Ai lejon të rishikohet dhe të ritregohen ndryshe historitë e së kaluarës.”

Në këtë frymë, ai propozon edhe krijimin e një komisioni të përbashkët shqiptar-grek të historianëve, nën kujdesin e dy akademive kombëtare, për të ndriçuar të vërtetën pa pasion dhe pa heshtje.


Edhe Shqipëria ka përgjegjësi


Letra u drejtohet edhe institucioneve shqiptare, që për dekada me radhë e kanë shmangur çështjen çame nga agjenda shtetërore, duke menduar se heshtja do të sillte mirëkuptim. Por në fakt ka ndodhur e kundërta: çështja është zhdukur edhe nga tekstet shkollore, madje në disa raste edhe nga gjuha zyrtare shqiptare.

“Nëse liderët politikë grekë nuk e dëgjojnë këtë thirrje, atëherë duhet që Presidenti, Kryeministri dhe Parlamenti shqiptar ta kërkojë këtë zyrtarisht si shtet sovran që është,” shkruan Rama.


Thirrje që buron nga miqësia, jo nga armiqësia

Letra nuk ka tone armiqësore. Përkundrazi. Ajo është shkruar me dashuri për kulturën, popullin dhe historinë greke. Rama përmend Homerin, Platonin, Elitisin, Kazanzaqis, muzikën e Teodorakisit e koralet bizantine. Ai përmend botime të veta në gjuhën greke, miq të shumtë dhe udhëtime nëpër Greqi. Kjo dashuri e bën thirrjen më të fortë: “Më ka trishtuar shumë që nëna ime dhe motra e saj s’mund të ktheheshin në Filat vetëm pse kishin lindur atje.”

ree

Një realitet që kërkon kurajë politike


Letra përfundon me një thirrje të qartë:“Kini kurajo, ju president i Greqisë, ju kryeministër Micotaqis… ngrijeni zërin tuaj mbi një histori turpi dhe krimi. Ka ardhur koha që ta pranoni krimin historik.”

Koha për falje nuk është një luks. Është një domosdoshmëri historike. Nuk ka pajtim pa drejtësi. Dhe nuk ka drejtësi pa njohje të krimit.

Koha për “na falni” ka ardhur.


Për çdo interesim, mund të kontaktoni autorin e letrës origjinale në:Luan Rama – ramaluan70@gmail.com

Adresa: 6, Rue Alfred Durand Claye, 75014, Paris


Comments


bottom of page