top of page

Loja nervoze e hipotezave të errrëta / Hamit Taka

Në diskursin publik sot ka aq shumë folës sa nuk mund të dëgjosh fjalët. Kjo është e tmerrshme.

Ose ka aq shumë fjalë sa nuk mund të shikosh folësit. Dhe kjo është akoma më keq.

ree

Flasin ata që kanë çfarë të thonë, flasin dhe ata që s'kanë asgjë për të thënë. Flasin ata që ndreqin, por flasin më shumë ata që prishin.

Flasin ata që shohin e dëgjojnë, që kanë sy e vesh, por flasin më shumë ata që nuk shikojnë e nuk dëgjojnë. Flasin ata që kthjellojnë, por më shumë flasin ata që turbullojnë. Flasin ata që shikojnë dritën, por flasin më shumë ata që e shikojnë diellin me xham të tymosur. Flasin ata që besojnë se liria e secilit është pjesë e vlerës së tij, por flasin më shumë ata që e duan lirinë vetëm për veten e tyre. Flasin ata që kanë një emër, por flasin më shumë ata që nuk kanë emër. Flasin ata që kuptojnë të vërtetat, por flasin më shumë ata që kanë frikë nga të vërtetat.

Flasin ata që të japin hajmalinë, fjalën e jashtëzakonshme dhe magjike: ti mund ta bësh, por flasin më shumë ata që të thonë, ti s'mund ta bësh. Flasin ata që e ndiejnë veten krenarë se janë shqiptarë, por flasin më shumë ata që thonë: "s'e kam për nder që jam shqiptar". Ose akoma më keq: "e kam për turp që jam shqiptar". Flasin ata që e duan Shqipërinë, Atdheun e tyre, por flasin më shumë ata që thonë; "nuk bëhet ky vend". Flasin ata që duan të ecin përpara, por më shumë flasin ata që bëjnë prita dhe bllokojnë ecjen përpara. Flasin ata që ia kushtojnë jetën ndriçimit të ndërgjegjes së popullit, por flasin më shumë ata që kanë besim në verbërinë e popullit. Fjalët mishërojnë folësit…

Me zë më të lartë debatojnë ata që i ka braktisur inteligjenca. Po të vëresh, secili orator predikon rëndësinë e atyre virtyteve, të cilët në jetën e tyre nuk kanë pikë rëndësie. Të pasurit flasin për varfërinë dhe dobinë e kursimit, ndërsa dembelët mbi dinjitetin e punës dhe vlerat e pasurisë. Të boshatisurit nga patosi patriotik flasin për nacionalizmin, ndërsa racistët e fanatikët religjiozë flasin për harmoninë fetare dhe të racave…

Kështu mbetet në harresë puna krijuese dhe sqima morale flijuese e dhjetëra e qindra intelektualëve të ndershëm, biznesmenëve të suksesshëm, shqiptarëve të rrallë në botë në fushën e artit e të kulturës apo talenteve të ardhshëm të strukur mbi librat, eksperimentet apo krijimet e veta, duke punuar aq shumë në orët e tyre të vetmisë dhe të përkushtimit.

Të flasësh e t'i thuash të gjitha, është një shpërblim. Ndoshta i vetmi shpërblim që ekziston. Por, për iluzione, vetëm idhujtarët dhe të dobëtit kanë nevojë, si për një ilaç.


Sot kemi një inflacion fjalësh, të shitura si ide, si programe, si projekte. Ide nga parti të mëdha dhe nga parti të vogla, të provuara e të paprovuara, të çalltisura e të zalisura.

Kemi analistë të shumtë e të zhurmshëm, të cilëve, në tregun mediatik të ideve, nuk u vënë dot rregull moderatorët e emisioneve. Kemi ide e fjalë për biznesin, por po lulëzon biznesi i fjalës.


Mediat elektronike dhe të shkruara proqewveritare, reja e zezë e televizioneve dhe gazetave të mëdha sunduese, plandosin mendjet dhe i pështjellojnë. Përsëritja e përditshme të mban lidhur e s'të lë të shohësh më tej. Disa gazeta të varfra paraqesin boshllëqe atje ku e vërteta është e shkruar shumë qartë. Ndonëse flitet për krizë të mediave, se financat e tyre po dobësohen, sidomos të shtypit të shkruar, po shumohen mediat alternative dhe fake news. Ka mjedise mediatike, ka tribuna mendimesh, por ka edhe mexhilise anonimati. Po avancojnë dukshëm variantet online të gazetave me rimorkion e forumeve të komentarëve. Ku secili garon për të përdorur fjalorin më vulgar dhe ofezat më sipërore për mendimin alternativ, nën ndikimin e pamoralshëm të ithtarëve të tyre. Këto ndikime janë të pamoralshme, sepse u japin të ndikuarve shpirtin e ndikuesit, duke u hequr shpirtin e tyre.

Natyrisht pesha specifike e prodhimtarisë së hipotezave dhe iluzioneve, këtyre zejeve të vjetra e moderne, rritet shumë në prag evenimenteve politike e shoqërore, siç janë fushatat elektorale, koha para marrjes së vendimeve nga KE për pranimin e Shqipërisë si kandidate në BE. Ndërsa fushatat elektorale duhet t'u ngjajnë një teatri, ku shfaqet e vërteta, ato s'kanë asgjë midis parajsës së ëndërruar dhe parajsës së humbur. Këtu fillon edhe një pjesë e konfliktit.


Por, ajo çka i jep bukuri parafushatës zgjedhore është se e bën gënjeshtrën absolutisht të nevojshme për të gjithë. Veçanërisht për ata që s'kanë sjellë asgjë të re në panairin e tezave dhe hipotezave, që s'kanë dhënë asgjë dhe nuk kanë ç'humbasin, në pritje të asaj ç'mund të fitojnë. Tahmahu i pakufishëm i bën ata armiq me gjithë ata që sjellin diçka të re. Por, për fat të mirë(fati i qenit), tani jemi në monizëm. Stivat e deklaratave dhe premtimeve të panumërueshme propagandistike të pozitës janë shtylla, monumente profkash e gënjeshtrash. Edhe opozita në fushëbetejë duket ende e lodhur dhe e tronditur nga nokdauni i zgjedhjeve locale të qershorit 2019. Tani opozitën ndaj qverisë moniste e bën më fort Presidenti i Republikës, i cili ka të tjera përgjegjësi e detyrime. Populli i mësuar për 45 vjet me statusin “urdhëro, si rdhëron” dhe i çmësua për një çerek shekulli, po i nënshtrohet verdiktit “ose bëj sit ë themi ne ose ik”. Vetëm budallenjtë kanë pjesën më të mirë në këtë lojë politiko-teatrore. Ata mund të rrinë rehat dhe të ndjekin të qetë shfaqjen, pasi nuk dinë ç'është fitorja, por të paktën janë të kursyer nga humbja.

Që të kishte të paktën ide të larmishme do të ishte gjë e mirë, jo vetëm se flet për lirinë e fjalës, si një nga të drejtat themelore të njeriut, por edhe sepse, sado të pakta idetë e përparuara, ato janë krijesa të bukura, frymëzuese, të cilat mbeten gjithmonë të tilla, në dimër kur nuk kemi lule dhe në verë, që na freskojnë mendjet.

Mirëpo kemi një inflacion idesh të bukura të rilindasve, të veshura me lule, të cilat tashmë janë provuar dhe nuk kanë dhënë as lule, as fryte, të tilla që, në shumicën e rasteve, shfaqen si hipoteza të errëta të një loje nervoze. Aq më keq, kur janë jo më të paprovuara, por as të dëgjuara dhe i paraqiten publikut si postulate, si të vërteta absolute.


Shpesh mbizotëron gënjeshtra si tribunë monopoliste mediatike për lloj-lloj ngjarjesh, trukimesh, inskenimesh, gënjeshtrash publike dhe dallaveresh të shpallura për publikun si profeci të paralajmëruara apo mrekulli historike që do të realizohen me frymën hyjnore të pompuar nga Zoti te ndonjë person i veçantë.

Comments


bottom of page