Mirë se vini në shkollë, të dashur nxënës!
- miremengjes.net

- Sep 7
- 2 min read
Autor: Mësuese Silvana Çaushi
(Reflektim)
E di që nesër, herët në mëngjes, do ta përgatis vajzën time për në shkollë. Më pas do të nxitoj të bëhem gati edhe vetë, sepse duhet të jem në shkollë përpara se të vijnë nxënësit.
Vajzën do ta lë tek furgoni dhe vetë do nisem shpejt për të mbërritur në orën 7:30.
Shumë mendime më vijnë në mendje: Si do të jetë ky vit për vajzën time? Nga ana tjetër, e di që të njëjtat pyetje po i bëjnë edhe prindërit e tjerë, të cilët do të sjellin fëmijët e tyre në shkollën ku unë punoj.

E imagjinoj sa shumë emocione do të ketë dita e parë. Veçanërisht vogëlushët e klasës së parë, që do ta ndiejnë më fort këtë përvojë të re, por edhe prindërit e tyre që do të kenë merakun nëse fëmijët do ta pëlqejnë ambientin, shokët dhe shoqet, si edhe mësuesin ose mësuesen.
Por unë, së bashku me koleget e mia, do t’i presim me shumë dashuri. Jam plotësisht e bindur që të njëjtën gjë do të bëjnë edhe mësuesit e vajzës sime në shkollën tjetër. Dhe nuk kam asnjë dyshim që mikpritja dhe kujdesi do të jenë të njëjtë në çdo shkollë të Shqipërisë.
Meraku i prindit është i madh, por unë kam besim se mësuesja e saj do ta mirëpresë, do ta inkurajojë dhe do të nxisë tek ajo më të mirën.
Të dashur prindër dhe kolegë, nesër do të jemi të gjithë në ambientet e shkollës për të dhuruar buzëqeshje, dashuri dhe profesionalizëm.
E dimë, të gjithë i duam fëmijët tanë, por edhe ne e duam profesionin tonë!
Mirë se vini, të dashur nxënës! Nesër do të jetë një ditë magjike për të gjithë!




Comments