Mjeku, Pacientët dhe Urgjenca: Një gjykim popullor në kohën e smartfonëve
- miremengjes.net

- Aug 20
- 3 min read
Nga Dr. Anisa LIÇO
Në Shqipërinë e sotme, urgjenca spitalore është shndërruar në një arenë ku takohen dy realitete të kundërta: mjeku i lodhur, shpesh i tejskajshëm në orë pune e në kushte jo gjithmonë optimale, dhe pacienti i paduruar, që kërkon të marrë përgjigjen apo trajtimin e menjëhershëm për çdo shqetësim shëndetësor – qoftë ky urgjent apo jo.

Është e qartë se shëndetësia shqiptare ende vuan nga plagë strukturore: numër i kufizuar shtretërish, mungesë personeli të mjaftueshëm, orare të gjata që shpesh kalojnë përtej normales humane. Një mjek urgjence, pas 24 orësh pune të pandërprerë, nuk mund të pritet të jetë gjithmonë një kombinim mes Aristotelit dhe Shën Mërisë. Por kjo është harresë kolektive. Shpesh kërkojmë prej tyre të pamundurën, harrojmë se mjeku nuk është Aladini, dhe nuk ka llambën magjike që çdo dhimbje ta zhdukë apo çdo medikament ta sjellë direkt nga laboratori i firmave prestigjoze farmaceutike sa pacienti të kërcasë gishtat.
Në urgjencë ekziston një parim i thjeshtë: trajtohet i pari ai që është në rrezik për jetën. Por shpesh pacientët harrojnë këtë dhe mendojnë se dhimbja e kokës prej dy javësh është po aq urgjente sa një hemorragji e brendshme. Ironikisht, për sëmundjet kronike, Shqipëria ka me mijëra mjekë të tjerë ku mund të kërkohet ndihmë; urgjenca nuk është zyra e konsultës rutinë. Dhe megjithatë, triazhimi, ky filtrim profesional, shpesh shihet nga pacienti si padrejtësi personale.
Shfaqja më e re e kohës moderne është pacienti “i armatosur” me ChatGPT, i cili hyn në urgjencë me bindjen se tashmë e di diagnozën dhe terapinë. Dialogu me mjekun nuk është më kërkim ndihme, por ballafaqim mendimesh: “Ja, doktoreshë, këtu shkruan qartë se duhet të më bëni këtë analizë e këtë serum.” Një lloj profesori me tituj shkencorë të marrë virtualisht, por që në realitet ka harruar një të vërtetë të thjeshtë: kërkimi në internet nuk e zëvendëson dijen e formuar me vite studimesh e praktike klinike. Siç thoshte Sokrati: “Dija e vërtetë është të dish se nuk di asgjë.”
Në këtë mozaik kaotik, nuk mund të mungojë as arma më e re e pacientit: telefoni inteligjent. Me një klik, mjeku mund të kthehet në personazh publik, i gjykuar nga turma virtuale. Një fjalë e thënë jashtë vendit, një ton zëri i ngritur në fund të një turni 36-orësh, bëhet material viral. Dhe pacienti, që ndoshta nuk kishte asgjë urgjente, shndërrohet papritmas në “Mira Murati në shëndetësi”, të shpëtojë sistemin shëndetësor duke regjistruar dhe postuar. Ironia qëndron se masa, e etur për gjykime popullore, nuk sheh më kontekstin, por vetëm fragmentin.
Do të ishte e padrejtë të mos pranojmë se ka raste kur vetë mjekët, të lodhur ose të pashpirt në komunikim, kanë lënë pas një shije të hidhur. Edhe unë, si mjeke dhe paciente njëkohësisht, e kam ndjerë këtë nën lëkurë nga dikush që më vinte hidhur që mbante të njëjtën bluzë të bardhë si ajo e imja. Nuk i fus dot të gjithë në një thes, sepse kam njohur dhe mjekë që janë dritë e shpirtit të profesionit. Por duhet pranuar se sjellja arrogante e mjekut nuk ka vend në asnjë rrethanë, ashtu siç nuk ka vend harbutëria e pacientit.
Shqetësimi më i madh sot është ky: mjekët po i nënshtrohen një “gjykimi popullor” përmes videove dhe komenteve të rrjeteve sociale. Dhe ky është një gjykim pa apel, i menjëhershëm, ku opinioni publik, shpesh i paedukuar për realitetin klinik, vendos kush ka të drejtë e kush jo. Por drejtësia nuk mund të mbështetet në një fragment videoje, ashtu si shëndeti nuk mund të mbështetet vetëm te një kërkim në Google. Këtu më kujtohet një thënie e Nietzsche: “Turma ka gjithmonë një sy të mprehtë për të parë dobësinë, por kurrë urtësinë.”
Urgjenca shqiptare është një pasqyrë e shoqërisë sonë: aty reflektohet lodhja e mjekëve, padurimi i pacientëve, mungesat e sistemit, por edhe abuzimi me teknologjinë. Nevojitet një reflektim i thellë: kur duhen marrë masa ndaj mjekëve që nuk respektojnë etikën, dhe kur ndaj pacientëve që shkelin kufijtë e respektit. Sepse vetëm duke e parë këtë marrëdhënie si një binom të barabartë – jo si një duel – mund të gjejmë ekuilibrin mes humanizmit dhe profesionalizmit.





Comments