Nga shtresat e kujtesës ( në një vjetorin e ikjes të vëlla Pëllumbit )
- miremengjes.net
- Nov 27, 2024
- 5 min read
Pajtim Çaushi

1. Meditim për jetën dhe ikjen
Kur njeriu vjen në jetë, gdhenden për të ditët e shënuara. Dhe, sa është gjallë, mbeten datimet: ditëlindja, një mujori, një vjetori... Më tej përvjetorët.
Kështu ndodh edhe kur ikën nga jeta. Të afërmit i shenjojnë ditët me shifra rreshtore: të tretat, të gjashtat, të dyzetat e mandej Viti. Më tej, sa të jenë gjallë të gjallët, e mbajnë në kujtesë dhe e përkujtojnë me raste...
E më tej...!
Keqardhja për të ikurit rrallohet, por s'resht.
Kështu e ka jeta dhe tejjeta. E para sjell prurje të reja.
E dyta rrëmben marrje pa radhë e rreshta.
2. Në vitin e vëlla Pëllumbit
Vëllai ynë Pëllumbi, në gjashtë dhjetor bën vitin e largimit nga gjiri i familjes, nga vëllazëria jonë, nga jeta tokësore. Viti iku shpejt se vet koha vrapon dhe s'ka stacion qëndrimi. Megjithatë, dhimbja për të ikurin tonë të dashur ende s'është pakësuar, ajo qëndron brenda nesh e freskët e gjallë, e hidhur...

Se koha drëgëz vë, nuk shëron e as harron.
Në bisedat me familjarët e vëllait apo me vëllazërinë tonë nxjerrim nga shtresat e kujtesa ndodhi të shumta nga përditshmëria e jetës së Pëllumbit. Ia tregojmë njeri tjetrit dhe ndiejmë mall, ndaj pëlotemi e psherëtimë...
Nga shumë copëzat e ndodhive që kemi përjetuar me vëllain tonë të larguar, por të paharruar, po hedh disa prej tyre.
3. Nanë Fetja tregonte
Ishte gusht. Data dhjetë e vitit 1955. U ktheva nga materniteti me kopanec në dorë. Kisha lindur djalin e katërt. Prisja vajzë... po se mos e kisha unë në dorë.
Më priti tek hyrja e oborrit vjerra Bejo. Ma mori nga krahu foshnjën. Në sy i dallova keqardhje. Psherëtiu:
- Prapë djalë?!... Eh moj nuse, nuk mbinë lulet nën përrallë!
Im shoq Bajrami nuk u mërzit.
- Hajde, se vëllai merr pas vëlla, më tha me të qeshur.

Të nesërmen shkuam bashkë në gjendje civile dhe të regjistruam emrin Pëllumb, përfundonte Nanë Fetja duke iu drejtuar vëllat.
- Po më donit vajzë, pse nuk ma shënuat emrin Pëllumbe? - qeshte vëllai.
- Po me shënjat ç'të bënim, t'ia hidhnim maçit? - ia kthente po me të qeshur Nanë Fetja.
4. Në tetor, kur lindi Vullneti
Shkolla e Konispolit ishte tek shtëpia si vilë dy katëshe e atdhetarit Rexhep Plaku. Vëllai i madh Eqeremi ishte në klasë të katërt, unë në të dytën. Ai e bënte mësimin paradite. Pas shkolle shkonte të rrinte me Nanë Çibenë se ishte vetëm. Dajko Myfiti ishte ushtar. Unë e kisha pasdite.
Nëna ishte shtatzanë për herë të katërt. Nga ora dhjetë i erdhën shenjat e lindjes. Me ndonjë që të linte fëmijët e vegjël, s'kishte.
- Dëgjo, më tha mua, merr Batin (Baftjarin) e Pullumin (Pëllumbin), Velua s'kishte lindur ende. Shpjeri të rrinë tek Luja (kështu i flisnim gjyshes nga nëna). Pastaj kthehu në shkollë.
- Mirë, iu përgjigja, por në mendje më erdhi tjetër mendim.
Shkolla me shtëpinë e Nanë Çibesë (Luja) ishte larg. Kalonte nga kroi i Çiçirikut, në disa baçe, pusi i Çazajve e pastaj banesa.
Do i fsheh diku dhe pas mësimit shkojmë të tre tek Luja, vendosa.
Afër shkollës, tek ullinjtë e Plakajve, më ra në sy një ferrë e madhe. Nuk e mendova dy herë. I porosita të mos lëviznin sa të kthehesha nga mësimi. Bati s'foli. Pullumi më pa në sy e tha i mërzitur:
- Kthehu shpejt, mos vono!
Ishte i vogël, vetëm katër vjeç.
Kisha katër orë. Më kujtohet, ora e trete dhe e katërt qenë vizatim e gjimnastkë. Pas të dytës i kërkova lele mësuesit. Kosta Lica më donte dhe qe shumë i arsyeshëm.
I mora vëllezërit dhe vrapuam tek Luja.
- Hajdeni more korobolë se u mori uja, tha duke na puthur.
Tasin e pësheshit me qumësht delje të parit ia dha Pëllumbit Vëllai e shihte me sy pëllumbi si respekt e falenderim për gjyshen tonë, grua të rrallë.
5. Vetëm me shpjegim e merr tetën
Ndërsa mësuesi shumëvjeçar i matematikës së gjimnazit të Konispolit, profesori i nderuar Jani Vaja, i thoshte me humor para gjithë klasës Pëllumbit:
- Çudi me ty Çaushi, vjen si shef në shkollë!...
Pastaj u drejtohej të tjerëve:
- Vetëm me shpjegimin, e merr tetën, mendoni sikur të ulet e ta hap librin ku shkon!
- Ja deri tek dhjeta mësues, se njëmbëdhjetën s'e zë dot, ia kthente Pëllumbi me të qeshur.
Dihej, dhjeta qe nota më e lartë në sistemin e vlerësimit, njëmbëdhjetë s'kishte.
Por nxënësi hallin e kishte gjetiu, edhe mësuesi e dinte këtë. Para tij e patën mbaruar gjimnazin tre vëllezërit më të rritur dhe atyre u qe dhënë e drejta për të lartën. Kjo për regjimin e kohës ishte e padiskutueshme, bile quhej e tepërt dhe s'mund t'i jepej edhe një të katërti nga e njëjta familje.

Kjo ishte arsyeja e vërtetë që Pëllumbi i merrte njohuritë vetëm gjatë shpjegimit të mësuesit dhe me kaq mbaronte. Pra, s'kishte shtysë nxitëse... E megjithatë, ishte ndër më të mirët për shkencat e natyrës.
6. Do të kesh më shumë tjetër herë?...
Tënden ndaje me shumë të tjerë!
Kishte mbaruar ora e pestë e mësimit. Kthehesha nga shkolla. Në krye të shkallëve takova mikun tim Ilmi Jupe, mësuesin dhe gazetarin e talentuar.
- Hë, qeshi, je ndonjë çik i ngrohtë sot se unë jam kallkan.
E kishte fjalën për një qerasje të vogël. Në fakt unë isha trok pasi një dyqindshe që kisha e prisha në pushim të gjatë për kafe me dy kolegë. I tunda kokën me keqardhje.
- Kuptova, tha, eja të vemi tek lai (kështu i fliste Pëllumbit).
Ai kishte hapur një lokal bar - kafe në Qendër. U ulëm në tavolinë. Pëllumbi na vërejti për porosinë. Ne vuv. Më pyeti me sy mua. I bëra me shenjë nga Miçja (kështu i flisnim me dashuri Ilmiut).
- S'duam gjë mo la... hëm, na ka lënë, jo se e lamë! - ia bëri Ilmiu me buzë në gaz.
Ai e dinte që ne s'rrinim kot në lokal, merrnim diçka. Kuptoi në çast. Vuri në tabaka dy doppio raki dhe dy vezë dhe na i solli.
- Jo dy o bos, nga një teke më mirë, i tha me shaka Ilmiu.
- Mbaroni këtë se pastaj ua bëj teke, ia ktheu Pëllumbi me të qeshur.
Kjo do të thoshte se do ta bënte treshe.
Kur u mbarua edhe e treta me vezë tjetër, Ilmiu më shkeli syrin dhe i tha pronarit të lokalit:
- Kur do i paguajmë ne këto mo la?
- Kur të korrni orizin... po patët me thes, më jepni mua me trastë! - ia ktheu Pëllumbi i qeshur.
- Paç e t'u shtofshin! - uruam ne.
- Paçim e na u shtofshin të gjithëve! - u përgjigj në numrin shumës ai.
Kur dolëm jashtë, Ilmiu më tha:
- S'kam parë deri sot njeri më zemërbardhë se ky!
Vërtet, Pëllumbi në marrëdhënie me shoqërinë kishte parimin e tij të prerë:
- Do të kesh më shumë tjetër herë?

Tënden ndaje edhe me të tjerë...
Ai vet kështu veproi në të gjithë vitet e ekzistencës. Ndaj kujtohet dhe do të kujtohet me respekt e buzë në gaz jo vetëm nga familja, por nga të gjithë që e njohën në jetë...
A ka më bukur se kujtimi i gjallimit të individit me buzë në gaz nga të tjerët që vijojnë jetën?...
Jo, pasi ky shenjim është sfidë e vërtetë ndaj largimit në tejjetë!...
Tiranë, 27 nëntor 2024
Comentarios