top of page

NJË TAKIM I KRIJUESEVE ÇAME

Updated: Sep 11, 2025

Nga Neviana SHEHI

Historia e Çamërisë është një histori e dhembjes, e shpërnguljes me dhunë, e kujtesës së humbur e të ruajtur njëkohësisht. Në këtë horizont të dhimbjes dhe qëndresës, gruaja intelektuale çame mbetet një figurë që nuk mund të anashkalohet.

ree

Zëri kreativ i gruas intelektuale çame është një ndër gurët më të çmuar të mozaikut kulturor shqiptar. Ai nuk është vetëm zëri i një komuniteti të dëbuar, por edhe shembull i fuqisë që ka gruaja për të ruajtur, përpunuar dhe përcjellë historinë e saj. Përmes këtij zëri, Çamëria nuk mbetet vetëm kujtim i së kaluarës, por bëhet pjesë e gjallë e identitetit kombëtar. Krijimtaria e grave intelektuale çame dëshmon se arti dhe mendimi nuk lindin vetëm nga lumturia, por shpesh edhe nga dhimbja.

Ky edhe ishte motivi kryesor i ngjarjes "Zëri kreativ i gruas intelektuale çame" që u mbajt të dielën e kaluar në Tiranë, përkatësisht në Akademinë e Shkencave. Ishte një ngjarje që u përshkua me shumë emocione, të cilat i dhuroi poezia dhe muzika, por edhe ngrohtësia e jashtëzakonshme e këtij takimi të motrave çame.

ree

Një falënderim i veçantë i dedikohet Nexhi Hasanit, e cila bëri çmos për t’i bërë bashkë krijueset çame, të cilat në Tiranë erdhën edhe nga SHBA-të, Anglia, Italia e Greqia. Shpresoj shumë se kjo nismë kaq e fisme, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse plaga shpirtërore e Çamërisë sado pak zbutet edhe përmes fuqisë së artit. Jam shumë e lumtur që isha pjesëmarrëse në këtë ngjarje, që gjithsesi do të jetë një kujtim i paharruar.

Comments


bottom of page