Provokim ndaj shqiptarëve në Bujanoc, qeveria Shqiptare dhe e Kosovës të reagojnë
- miremengjes.net

- Sep 8
- 2 min read
Nga Refik Hasani
Bujanoc, 6 shtator 2025

Akt i shëmtuar dhe gjuhë urrejtjeje
Dënojmë fuqishëm aktet e fundit të shfaqjes së grafiteve në qendrën e Bujanocit, ku është shkruar emri i kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, Ratko Mladiq.
Këto grafite, të shkruara në alfabetin cirilik, përfshijnë simbolin e kryqit dhe katër shkronjat "C", që lexohen si "S", duke i dhënë kështu mesazhit të tyre karakter të hapur provokues, kërcënues dhe nxitës të urrejtjes etnike kundër shqiptarëve të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës.

Vazhdimësi e provokimeve dhe kërcënimeve
Ky nuk është rasti i parë. Vitin e kaluar në qendër të Bujanocit u thye billboard-i i Komandantit të UÇPMB-së, Ridvan Qazimi – Lleshi, ndërsa gjatë dy viteve të fundit janë shtuar dukshëm mbishkrimet me mesazhe si “Vdekje shqiptarëve”.
Grafite të tilla janë shfaqur edhe në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, në Preshevë dhe në Medvegjë, duke dëshmuar se kjo dukuri është kthyer në përditshmëri shqetësuese. Përmes tyre synohet të mbillet frikë, pasiguri dhe të dërgohet mesazhi i shpërnguljes, asimilimit dhe diskriminimit të shqiptarëve.
Thirrje për reagim ndërkombëtar dhe institucional
I bëjmë thirrje:
Institucioneve më të larta të BE-së dhe mekanizmave të OKB-së, që të shtojnë prezencën, monitorimin dhe angazhimin në këtë rajon.
Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, që të reagojnë zyrtarisht duke dënuar këto akte.
Republikës së Serbisë, që ka përgjegjësinë të dënojë dhe të ndalojë gjuhën e urrejtjes, provokimet dhe kërcënimet që i drejtohen shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Shfaqja e grafiteve në qendër të Bujanocit është dëshmi e qartë se, përveç pasivizimit administrativ dhe diskriminimit të përditshëm, shqiptarët e kësaj krahine përballen me një klimë të rëndë kërcënimesh dhe presioni etnik.

Lugina e Preshevës mbetet një nga rajonet më të pazhvilluara në Evropë, dhe kjo nuk lidhet vetëm me ekonominë, por edhe me statusin politik të saj të pazgjidhur.
Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit nuk janë vetëm shkrime në mur: ato janë mesazhe urrejtjeje, kërcënimi dhe pasigurie. Është detyrë e institucioneve vendore, rajonale dhe ndërkombëtare që të reagojnë fuqishëm, për të mos lejuar përhapjen e një gjuhe që cenon paqen, bashkëjetesën dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon.




Comments