SARANDË – NJË SHKOLLË E PABËRË BËHET RESORT?
- Anxhela Qyshka
- 6 days ago
- 2 min read
Nga Anxhela Qyshka
E dini çfarë ndodhi në Sarandë?
Një shkollë. E ndërtuar me paratë e taksapaguesve. Me qëllimin për të hequr turnet e dyfishtë në shkollat e qytetit. E përfunduar. Me dyer, dritare, banka, klasa. Gati për të pritur qindra fëmijë.
Dhe e lënë bosh.
Për vite me radhë, Eco Kampusi në Sarandë qëndroi si një relike moderne – një ndërtesë që dukej si shkollë por nuk funksiononte si shkollë. E heshtur. E pluhurosur. E mbyllur.
Derisa dikujt i lindi një “ide”: Pse të mos e kthejmë në resort turistik?Pishina. Lounge. Restorante. Akomodim për artistë e nomadë digjitalë. Bukur në letër, por me një problem të madh:Eco Kampusi është një PRONË PUBLIKE me destinacion ARSIMOR.

Po kush e lejon këtë?
Më 30 maj 2025, Këshilli Bashkiak i Sarandës votoi për ta kthyer Eco Kampusin në një “Pol Zhvillimi Turistik”. Pa asnjë konsultim publik. Pa transparencë. Pa analizë se çfarë do të thotë kjo për arsimin në qytet.
Por kjo nuk është vetëm çështje arsimi.Është një provë e pastër: sa vlen një hapësirë publike në sytë e pushtetit?Në këtë rast – mjaft për t’u shitur si resort.
Qytetarët po ngritën zërin – dhe nuk janë vetëm
Aktivisti dhe avokati Brigels Dërvishi dorëzoi një kërkesë zyrtare në Prefekturë për të ndaluar këtë marrëveshje, duke e quajtur të paligjshme dhe të papranueshme.
Në një editorial të drejtpërdrejtë, Tanush Caushi, inxhinier dhe specialist rreziku, shkroi:
“Kur një shkollë shndërrohet në resort, nuk është vetëm ndryshim destinacioni. Është ndryshim rruge. Dhe kjo rrugë është rrëshqitëse.”
Pse Ky Skandal Duhet të Përhapet?
Sepse nuk është vetëm për Sarandën. Është një model i rrezikshëm:
Ndërtojmë një institucion publik me fonde publike.
E lëmë të kalbet.
E japim me kontratë për përfitime të paqarta.
Nëse kjo nuk ndalet sot, kush thotë që nesër nuk do preket një park, një qendër shëndetësore, një bibliotekë?
Comments