SHKATËRRIMI I SEKTORIT SHTETËROR TË NAFTËS DHE PASOJAT NË EKONOMI
- Mar 25, 2022
- 4 min read
Nga Mirela Cela Jorgo
Pas vitit 1990, sektori strategjik shtetëror i naftës shqiptare u shkatërrua plotësisht. Me nxitje të fshehtë nga lartë, gangsterët dhe bandat filluan grabitjen e naftës nga depot e vendburimeve, apo duke shpuar tubacionet e transportit të naftës.

Ata grabitën edhe naftën e përpunuar, që transportohej në linjën hekurudhore me vagona cisternë (nga rafineria e naftës në Ballsh etj.). Në vendburimet e naftës filloi grabitja e pajisjeve mbitokësore (elektromotora, pompa, tubo, astra, rripa transmesioni etj.).
Për këto grabitje haptas, shteti bënte sehir. Ai nuk i dënoi keqbërësit, sepse vet i kishte nxitur. Pse u bënë këto veprime të shemtuara? Këto u bënë për të treguar se gjoja vendburimet e naftës nuk mund të administroheshin nga shteti, sepse ato po grabiteshin dhe shkatërroheshin. Prandaj, ato duheshin privatizuar.
Pastaj u mbyllën institucionet tekniko-shkencore. U mbyll Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit (bashkë me Sektorin e Gjeofizikës). U mbyll Instituti Teknologjik i Naftës. U mbyllën Ndërmarrjet e Shpim Kërkimit dhe Ndërmarrjet e Shpim-Shfrytëzimit të Naftës. U zhdukën sondat e shumta të shpimit. U mbyllën uzinat mekanike të naftës, U mbyllën rafineritë e përpunimit të naftës etj. Shkencëtarët dhe specialistët e naftës u hodhën në rrugë të madhe. Shumicës prej tyre u “doli lotaria”, dhe shkuan në SHBA, Kanada etj. Pjesa tjetër mbeti në Shqipëri. Ata janë pensionistë, dhe jetojnë me një pension të varfër shqiptar. Një pjesë janë ndarë nga jeta. Më të rinjtë punojnë në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit. Ky shpartallim i shkencëtarve dhe specialistëve të naftës është një humbje shumë e madhe për Shqipërinë. Duhet kohë që të përgatiten specialistë me përvojë.
Vendburimet e naftës iu hoqën shtetit (popullit) dhe iu dhanë të huajve me Marrëveshje Hidrokarbure korruptive (grabitqare). Ato po grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar.
Fakulteti Gjeologji-Miniera nuk nxjerr më specialistë nafte, sepse nafta u është dhënë të huajve.
E gjithë Shqipëria, nga qeveria u nxor në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Kërkimet e naftës dhe të gazit nuk bëhen më nga shteti shqiptar. Këto kërkime u janë dhënë vetëm të huajve. Kompanitë e huaja të kërkimit të naftës dhe gazit kanë bërë vetëm pak kërkime. Ato i kanë bllokuar qellimisht kërkimet e naftës dhe të gazit. Prandaj, gjatë 30 vjetve të fundit, nuk është zbuluar asnjë vendburim i ri nafte dhe gazi. Për krahasim: Gjatë 30 vjetve (1960-1990), kur sektori i naftës drejtohej nga shteti, u zbuluan shumë vendburime nafte dhe gazi!!
Sot Shqipëria dhe bota ndodhen në krizë energjie, sidomos për naftë dhe gaz. Thonë se kjo krizë u shkaktua nga lufta pushtuese e Rusisë ndaj Ukrainës. Për këtë arsye, bota e bllokoi naftën dhe gazin rus.
Në Shqipëri dhe në botë është rritur shumë çmimi i karburanteve, dhe i energjisë elektrike. Si rezultat, është rritur shumë çmimi i transportit, i ushqimeve, i plehrave kimike për bujqësinë etj.
Populli shqiptar është ngritur në protesta. Kryeministri Rama justifikohet se këtë rritje çmimesh e shkaktoi lufta në Ukrainë. Ai thotë se edhe ne jemi në luftë, dhe na rekomandon të bëjmë kursime, domethënë të shtrëngojmë rripin….
Specialistët tanë të naftës, pensionistë të ndershëm dhe patriotë, tregojnë gjëndjen reale. Dr. Vladimir Mici (ekonomist) analizon anën ekonomike të naftës. Prof. Dr. Jorgji Hanxhari (ing. nafte) analizon gjendjen e naftës shqiptare. Prof. Dr. Nako Petro (specialist i përpunimit të naftës) analizon si ishte gjendja e përpunimit të naftës në Shqipëri, dhe në veçanti në rafinerinë e naftës në Ballsh. Ai rekomandoi të përmirësohej teknologjia, duke investuar nga shteti rreth 20 milion dollarë, sepse prishja e rafinerisë, dhe ndërtimi i një rafinerie të re, kushton rreth 200 milion dollarë. Por kryeministri Rama, që i di të gjitha, vendosi të shkatërrohej rafineria e naftës në Ballsh. Ai nuk mendoi se ku do të punojnë banorët e Ballshit. Ai nuk mendoi se rafineria e naftës në Ballsh do i duhej Shqipërisë, sidomos në një situatë lufte. Dhe tani ka guximin t’i thotë popullit se jemi në luftë!!
Rafinerinë e naftës në Ballshit ishte aset dhe perben krim shkaterrimi i saj
Në verën e vitit 2014 isha rastësisht tek rafineria e naftës në Ballsh. Atje një punëtor më tha: “Ka ardhur një arixhi nga Azerbajxhani, dhe thotë se rafineria është pronë e tij…E ka blerë badihava
Në qoftë se nafta, pas vitit 1990, nuk do ishte privatizuar (grabitur), nuk do kishin ndodhur të gjitha këto shkatërrime. Pra, nafta nuk u shkatërrua për arsye teknike, shkencore, ekonomike, por u shkatërrua për arsye politike. Prandaj, për rregullimin e punëve në sektorin e naftës duhet kërkuar ndryshim politik për trajtimin e naftës.
Nafta dhe gazi duhen rishtetëzuar (nacionalizuar). Qeveritë, pas vitit 1990, duhet të japin llogari për grabitjen dhe shkatërrimin e sektorit të naftës.
Autori i këtij shkrimi, në shumë artikuj ka shprehur disa mendime, se si duhet vepruar në sektorin e naftës. Kriza e naftës dhe e gazit mund të vazhdojë gjatë, prandaj duhen marrë masa urgjente.
E siguroj qeverinë, se brenda një muaji mund të zbulojmë një vendburim të ri nafte (strukturë me gjatësi mbi 60 km!!). Ky vendburim pritet të jetë afërisht sa të gjitha vendburimet e zbuluara në gëlqerorët, të marra së bashku. Kjo kërkon t’i anulohet (shfuqizohet) Marrëveshja Hidrokarbure kompanisë Shell Upstream Albania për Bllokun 4. Kjo kompani, gjatë shumë viteve, nuk ka kryer asnjë punim kërkimi në terrenin e Bllokut 4. Ajo ka shkelur me të dyja këmbët Marrëveshjen Hidrokarbure, dhe Ligjin e Naftës në Shqipëri. Prandaj, ky anulim mund të bëhet shumë lehtë dhe pa probleme, po të dojë qeveria!!
Sot, po t’a kishim naftën pronë shtetërore, shteti do të ndërhynte pa probleme për uljen e çmimit të karburanteve. Pra, nuk do të kishim krizë. Nuk do të rriteshin çmimet e ushqimeve, të transportit etj. Populli do të jetonte shumë më mirë.




Comments