top of page

Tanush Çaushi: "Poli i Zhvillimit Turistik në Sarandë, ja rreziqet dhe përmirësimet që duhen"

Një marrëveshje për transformimin e një zone kyçe në Sarandë pritet për tu firmosurr midis Bashkisë Sarandë dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH). Marrëveshja synon ndërtimin dhe menaxhimin afatgjatë të një Poli të Zhvillimit Turistik, përmes një investimi publik që parashikon zhvillim ekonomik, kulturor dhe turistik.

Ing.Tanush Çaushi
Ing.Tanush Çaushi

Por pas entuziazmit fillestar, një analizë e thelluar tregon se marrëveshja përmban mungesa serioze strukturore, ligjore dhe menaxheriale, që rrezikojnë efektivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të projektit.

RREZIQET KRYESORE TË MARRËVESHJES

Më poshtë rreziqet që duhen konsideruar na baze te analizes qe kam kryer bazuar tek marreveshja draft:

1. Menaxhim Asimetrik dhe Pa Kontroll të Barabartë

Për 5 vitet e para, FSHZH ka të drejtën e vetme për administrimin e aktivitetit ekonomik, ndërsa Bashkia nuk ka të drejtë ndërhyrjeje. Kjo vendos balancën e pushtetit në mënyrë të paekuilibruar dhe përjashton pushtetin vendor nga kontrolli efektiv.


2. Mungesë e Klauzolave për Dështim

Marrëveshja nuk parashikon asnjë penalitet nëse njëra palë nuk përmbush detyrimet. Në rast moszbatimi të projektit, nuk ka sanksione, as rimbursime, duke lënë hapësira për abuzim apo braktisje të projektit pa pasoja.


3. Transparencë e Ulët Financiare

Ndarja e të ardhurave bëhet në mënyrë teorike 50% për secilën palë, por nuk ka mekanizëm auditimi, raportim financiar periodik apo detyrime për publikim të performancës ekonomike. Kjo krijon rrezik për mungesë transparence dhe keqmenaxhim të fondeve publike.


4. Afat i Pacaktuar dhe Mungesë Planifikimi Afatgjatë

Marrëveshja është lidhur “për një afat të pacaktuar”, pa planifikim të qartë për rishikim periodik, evaluim performance, apo dalje të kontrolluar nga marrëveshja. Ky fakt është i pazakontë për projekte që përfshijnë përdorimin e aseteve publike.

Projekti
Projekti

5. Mungesë e Vlerësimit të Rrezikut dhe Analizës së Qëndrueshmërisë

Nuk është kryer asnjë analizë paraprake mbi:

  • Rentabilitetin e projektit

  • Kapacitetin për të mbuluar koston e mirëmbajtjes

  • Rrezikun e dështimit në skenarë pesimistë ekonomikë

PËRMIRËSIMET QË DUHEN BËRË URGJENTISHT

Me poshte permiresimet qe propozoj per kete marreveshje qe rrisin transparencen dhe mbrojne interesin publik dhe te ardhmen e projektit:


1. Krijimi i një mekanizmi të përbashkët menaxhimi

Duhet të krijohet një strukturë vendimmarrëse e përbashkët FSHZH – Bashkia, me votë të barabartë, për të garantuar kontroll dhe përfaqësim real të pushtetit vendor.


2. Përcaktimi i afateve të zbatimit dhe rishikimit periodik

Marrëveshja duhet të përfshijë:

  • Afate të qarta për fazat e zbatimit (projektim, ndërtim, kolaudim, operim)

  • Mekanizma rishikimi çdo 5 vite mbi performancën


3. Përfshirja e një Sistemi transparence dhe auditimi

Të parashikohet detyrimisht:

  • Auditim vjetor i pavarur

  • Publikim i të ardhurave dhe shpenzimeve

  • Raportim publik ndaj qytetarëve


4. Vendosja e klauzolave për rrezik dhe dëmshpërblim

Çdo shkelje e marrëveshjes nga palët duhet të sjellë pasoja juridike dhe financiare, përfshirë detyrimin për të kompensuar dëmet në rast dështimi apo keqzbatimi.


5. Përfshirja e komunitetit në mbikëqyrje

Projekti duhet të ketë këshilla konsultative me përfaqësues të komunitetit, bizneseve lokale dhe OJQ-ve, për të monitoruar ndikimin social dhe ekonomik të projektit.

Poli i Zhvillimit Turistik në Sarandë përfaqëson një nga projektet më potenciale për rigjallërimin ekonomik dhe transformimin urban të qytetit bregdetar. Por në formën aktuale, marrëveshja përmban rreziqe strukturore serioze, që pa ndërhyrje dhe përmirësime të menjëhershme, mund të shndërrojnë një projekt vizionar në një precedent të dështuar publik.

Një marrëveshje strategjike kërkon jo vetëm vullnet politik, por garanci ligjore, transparencë dhe llogaridhënie institucionale. Pa to, çdo investim publik rrezikon të bëhet një monument bosh premtimesh.

Përgatiti: Ing. TANUSH ÇAUSHI

Comentários


bottom of page