Tanush Çaushi: "Zoti Kryeministër, pastrojeni edhe padrejtësinë që nuk duket!"
- Tanush Çaushi

- Jul 17
- 2 min read
Nga Tanush Çaushi
Zoti Kryeministër,
Sot, kur qeveria ndërmerr një aksion të gjerë për pastrimin e territorit, dëshiroj të ngre zërin për një formë zaptimi shumë më të heshtur por edhe shumë më të rëndë: zaptimin e hapësirave publike që sigurojnë aksesueshmërinë.
Në Shqipëri ka mijëra qytetarë që nuk duken në rrugë, jo sepse nuk duan, por sepse nuk mund të dalin. Ata jetojnë në pallate pa rampa, në lagje me trotuare të zëna nga makina, përballë institucioneve ku hyrja për ta është e pamundur. Nuk shkojnë dot në shkolla, punë, aktivitete.
Nuk dalin dot as edhe për një kafe, z.Kryeministër.
Liria e tyre ndalon te shkalla e parë.
Kjo nuk është thjesht neglizhencë urbane. Është një padrejtësi strukturore, që përjashton nga jeta publike ata që kanë më shumë nevojë për përfshirje. Dhe është një padrejtësi që nuk pastrohet me fshesë, por me vullnet politik dhe ndjeshmëri njerëzore.

Aksesueshmëria nuk është luks. Është e drejtë.
Sipas raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë (2023), “institucionet publike dhe infrastruktura mbeten të paarritshme për shumë persona me aftësi të kufizuara.”
Të dhënat e organizatave vendore tregojnë se mbi 80% e institucioneve publike nuk janë të aksesueshme. Në shumë qytete mungojnë rampa funksionale, trotuaret janë të zëna ose të shkatërruara, ndërsa plazhet dhe transporti publik janë thjesht të papërdorshëm për këtë kategori qytetarësh.
Nëse vërtet dëshironi të pastrohet Shqipëria, atëherë duhet të pastrohen edhe këto:
Trotuaret që janë ndërtuar pa menduar për njerëzit me karrocë;
Rampat që janë të pjerrëta, të rrezikshme, ose që mungojnë plotësisht;
Institucionet publike që janë fizikisht të paarritshme për një pjesë të popullsisë.
Kjo është zaptim i aksesit, dhe duhet të trajtohet njësoj si çdo ndërtim pa leje apo shkelje urbane. Vetëm kështu pastrimi merr kuptim njerëzor dhe jo vetëm turistik.
Shqipëria Bëhet, por vetëm kur nuk përjashton
Shqipëria është vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Direktiva Europiane për Aksesueshmërinë (2019/882) është një detyrim për çdo vend që kërkon anëtarësimin në BE.
Pa një plan kombëtar për aksesin publik, vendi nuk përmbush detyrimet ndërkombëtare. Mbi të gjitha, nuk përmbush as detyrimin moral ndaj qytetarëve të vet.
Zoti Kryeministër, kërkoj që:
Aksesueshmëria të bëhet pjesë zyrtare e fushatës së pastrimit të territorit;
Të ndërtohet një platformë kombëtare për inspektimin dhe rehabilitimin e trotuareve, rampave dhe hyrjeve publike;
Të krijohet një fond për nxitjen e aksesit në pallate të vjetra dhe institucione të papërshtatshme;
Të përfshihet aksesueshmëria në çdo projekt urban të financuar nga fondet e BE dhe buxheti i shtetit;
Të publikohet një “hartë e aksesit” dhe një raport vjetor për përparimin në këtë fushë.
Një vend nuk matet me kullat që ndërton, por me sa njerëz mund të lëvizin lirshëm në të.
Të pastrojmë Shqipërinë, por të pastrojmë edhe ndërgjegjen.
Të ndihmojmë që zëri i atyre që nuk duken të bëhet i dukshëm.
Të bëjmë që Shqipëria të jetë vendi model ku mund të ecin të gjithë në trotuare e kudo.





Comments